Kërkohet që Suzana Zogianit t’i zvogëlohet dënimi

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave ka thënë se rasti i Suzana Zogianit duhet të rigjykohet dhe t’i ulet dënimi.


“Ajo që ne bashkë me stafin e kemi edhe një avokat që na ndihmon shumë në punën tonë kemi konstatuar që ky rast është sikurse shumë raste të tjera që i kemi në burgun e Lipjanit kur një grua në vetëmbrojtje dënohet 25-30 vjet, ndërsa kemi burra që i vrasin gratë edhe i marrin, e dini rastin e Suharekës, ku ka marrë 12 vjet maksimumi dhe menjëherë reaguam dhe gjetëm një avokate që të bëjë një rigjykim dhe u shtuan disa vjet por prapë edhe ajo nuk ishte e mjaftueshme”, ka thënë Rogova.

Ajo thotë se Suzana Zogiani ishte në vetëmbrojtje dhe ka pasur raste të raportuara të dhunës ndaj saj.

“Prandaj këtu është një padrejtësi që po ndodh sepse në rastin e vetëmbrojtjes kur ajo grua, Suzana, ka qenë e dhunuar edhe këtu kur ka jetuar në Kosovë. Ajo ka dokumentacionin nga Policia në Kodrën e Trimave, pastaj kur kanë kaluar në Francë, ka raportime të ndryshme nga Policia e Francës që ka përjetuar dhunën dhe tash në një moment ajo ka vendosur që me marrë jetën e burrit të saj sepse ishte fundi i durimit”, shprehet ajo.

Sipas saj ka edhe gra të tjera si rasti i Zogianit që janë dënuar.

“Për ne ka qenë me të vërtetë shumë shokuese, por për mua s’ka qenë sepse i kam parë edhe gratë tjera që janë 30 vjet. Prandaj është momenti që kjo Kosovë të shikojë këto raste, sikurse i shikon bota jashtë. Gratë, që në vetëmbrojtje i vrasin burrat kanë një hall të madh. Në momentin e vdekjes ato e marrin atë vendim. Kush do që me e mbytë burrin të lutem. Edhe Kosova duhet të ketë parasysh se në rastet e vetëmbrojtjes duhet të ketë lehtësime. Rasti i Suzanës konsiderohet vrasje, por duhet të ketë lehtësime sepse ka qenë vetëmbrojtje”, ka thënë Rogova në Interaktiv.

Ajo ka kërkuar që t’i ulet dënimi Suzana Zogianit.

“Kjo është ajo që ne po kërkojmë dhe avokati i jonë është në kontakt të vazhdueshëm me avokatin e Suzanës. Ne shpresojmë në përgjigje pozitive nga Gjykata Supreme që do ta kthejë rastin. Shpresojmë që do t’i ulet dënimi, sepse ajo grua nuk e meriton të jetë në burg derisa të plaket. Nuk e di kur do të ketë vendim nga Supremja, por shpresojmë që shpejt Gjykata Supreme të japë përgjigje pozitive. Edhe një herë falënderim KTV-së që e bën një emision, me bë një vetëdijesim edhe te qytetarët, të shohin që ka një rast i erdh fundi i durimit dhe e ka marrë jetën e burrit të saj, sepse nuk ka qenë në pyetje vetëm ai por edhe fëmijët e saj”, ka thënë Rogova.