Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi i njejti kërkonte para kinse për të ndihmuar të sëmurët.
Personi i dyshuar me inicialet (A.A.) përmes rrjeteve sociale dyshohet se ka mashtruar qytetarët duke u kërkuar atyre të holla që të ndihmojnë fëmijët/personat e sëmurë.
Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari për kryerjen e këtij mashtrimi ka përdorur pa autorizim fotografi të fëmijëve/personave të sëmurë.
“I dyshuari për kryerjen e këtij mashtrimi ka përdorur pa autorizim fotografi të fëmijëve/personave të sëmurë, duke i postuar në rrjete sociale dhe pastaj qytetarët kanë bërë pagesa në vlera të ndryshme përmes institucioneve financiare (para të shpejta), duke besuar se janë duke i dërguar paratë tek personat në nevojë, në këtë rast te personat e sëmurë. Njësitë policore i kanë kontrolluar dy lokacione dhe në cilësinë e provave kanë sekuestruar: – Një telefon celular dhe – Një laptop”, thuhet në njoftim.
Pas sekuestrimit të provave, policia ndaloi të dyshuarin.
“Pas përfundimit të procedurave intervistuese me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Reporteri.net/.