Nga nesër, 21 qershor, e në ditët në vijim është paralajmëruar të nisë një mungesë e theksuar e prodhimit vendor të energjisë elektrike. KESCO ka paralajmëruar se në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.
Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike.
“Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem”, shkruan KESCO.
“Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar.Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike. Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, përfundon njoftimi.
Korporata Energjetike e Kosovës gjatë ditës së sotme ka njoftuar se është rikthyer në operim blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”.
Kjo njësi që ishte ndalur dje në mënyrë të paplanifikuar, është kthyer në funksion sot në orën 08:00, u bë e ditur në një njoftim.
Aktualisht, jashtë funksionit janë dy blloqet tjera. A4 është në remont nga muaji maj, teksa A5 është ndalur si pasojë e humbjeve të ujit në kaldajë.
Për A5 nuk është dhënë ndonjë afat se kur do të kthehet në funksion./Reporteri.net/