×
  • Lajme
  • Lajme / Thirrje nga OJQ-të

    Këshillit Prokurorial i bëhet thirrje të shpallë konkurs të ri për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Reporteri
    04 Mars 2024 | 13:23

    Organizatat jo-qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres i kanë bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të shpallë konkurs të ri për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në një reagim të hënën, OJQ-të thanë se KPK-ja duhet të shpallë konkurs pas mosdekretimit të kandidatit Blerim Isufaj nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    “Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022. Kështu, tani po bëhet dy vjet që kur Prokurori i Shtetit funksionon me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit. Me këtë rast, duhet theksuar se nevoja për të pasur Kryeprokuror të Shtetit nuk përjashton nevojën për një proces transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Më 17 tetor 2023, presidentja e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK-ja për Kryeprokuror të Shtetit, duke e kthyer këtë proces në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Fatkeqësisht, kur po bëhen pesë muaj nga nxjerrja e këtij njoftimi nga presidentja e Republikës së Kosovës, KPK-ja ende nuk ka vepruar në drejtim të zhvillimit të një procesi meritor dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit. Veprimi i vetëm i tyre ka qenë ripropozimi, pa proces të ri konkurrues, i emrit të njëjtë për dekretim si Kryeprokuror të Shtetit”, thuhet në reagim.

    Këto organizata thanë se kjo mënyrë e veprimit të KPK-së shpërfaq mungesën e vullnetit për të zhvilluar një proces transparent dhe meritor.

    “Nëse deri më 17 tetor 2023 KPK-ja nuk ka pasur përgjegjësi për vonesat që janë krijuar në këtë proces për shkak se propozimi ishte te presidentja e Republikës së Kosovës, që nga kjo datë e tutje, KPK-ja është institucioni i vetëm përgjegjës pse Kosova nuk ka Kryeprokuror të Shtetit”, thuhet tutje.

    OJQ-të thanë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit s’ka siguruar meritokraci, objektivitet dhe se kandidatët “nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë”.

    “Ndaj këtij procesi, kishte reaguar Ambasada Amerikane, ajo Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces. Duhet rikujtuar se integriteti i këtij procesi ishte cenuar qysh në fillim, pasi ishin tërhequr edhe nga monitorimi Ambasada britanike, e cila ishte injoruar për dy muaj nga KPK-ja dhe Kryeprokurori i Shtetit. Për më tepër edhe Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2022 ka theksuar zhgënjimin e ambasadave dhe shoqërisë civile për mungesën e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritës në procesin e zhvilluar nga KPK-ja”, njoftuan tri organizatat.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!