×
  • Lajme
  • Lajme

    Këshilltari i Presidentit: Kurti po mundohet të uzurpojë kompetencat e Thaçit

    Reporteri
    20 Prill 2020 | 10:52

    Këshilltari i Presidentit të vendit, Adil Behramaj, ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i cili tha se kryeministri ka uzurpuar Qeverinë duke larguar njerëzit kryesor të LDK-së.


    Sipas Behramajt, Kurti ashtu siç ka larguar njerëzit kryesorë të LDK-së, po mundohet t’i uzurpojë kompetencat e Kuvendit dhe Presidentit, shkruan Reporteri.net

    “Ashtu siç po mundohet t’i uzurpojë kompetencat e Kuvendit dhe Presidentit, Kurti me largimin e njerëzve kryesorë të LDK-së e kishte uzurpuar edhe Qeverinë, duke e kthyer në Qeveri njëpartiake”, ka shkruar Behramaj.

    Postimi i plotë i Behramajt:

    Edhe përbërja aktuale e Qeverisë së shkarkuar është falsifikim i vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit. Ashtu siç po mundohet t’i uzurpojë kompetencat e Kuvendit dhe Presidentit, Kurti me largimin e njerëzve kryesorë të LDK-së e kishte uzurpuar edhe Qeverinë, duke e kthyer në Qeveri njëpartiake. Në një shtet me demokraci parlamentare, ai po tenton ta instalojë monizmin me vetëm 26.2% të votave. Në anën tjetër, përkundër që është shkarkuar me votat e 2/3 të deputetëve, ai as që po e pranon këtë vullnet të përfaqësuesve të popullit. Pra, Kurti po pretendon të qëndrojë në krye të Qeverisë, duke e refuzuar çdo procedurë të paraparë kushtetuese dhe ligjore për emërimin e një Qeverie të re.

    Ky Kuvend i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit ka legjitimitet trefish më të madh se Albin Kurti.

    Nëse ekspertët e tij ligjorë vlerësojnë se gjatë procedurës së emërimit të Qeverisë së re shkelet Kushtetuta e Kosovës, Gjykata Kushtetuese krahëhapur i pret. Por, fatkeqësisht, as që ju intereson kushtetutshmëria dhe Qeveria e tij e ka dëshmuar këtë duke e shkelur jo vetëm Kushtetutën, por edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese!

    Më herët na flisnin shumë për kapjen e institucioneve. Por, kjo është kapja më e paprecedent e pushtetit ekzekutiv në historinë e demokracisë dhe jetës institucionale në Republikën e Kosovës!

    Me gjuhën tempomatëse të Kurtit çdo kapje e kanë pasur nga “Adagio e Andante” në “Allegro”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!