×
  • Lajme
  • Lajme

    Këshilltarja ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë: Kosovës i duhet vetting sistematik

    Reporteri
    28 Prill 2021 | 11:46

    Publiku në Kosovë dëshiron që ta shohë jetësimin e procesit të vetting-ut në drejtësi, thotë këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens. Në këtë intervistë Morton-Owens thotë se si procesi i vetting-ut, po ashtu edhe nisma për Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duhet të hartohen me kujdes.


    Sa i përket vetting-ut, ajo thotë se ky proces duhet të bëhet përmes një qasjeje sistematike dhe në të gjitha institucionet, jo vetëm në ato të drejtësi. Sipas saj, propozimet aktuale për këtë, nuk ofrojnë detaje se si Kosova mëton që ta bëjë procesin e vetting-ut.

    Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

    Sipas Morton-Owens, propozimi që konfiskimi i pasurisë të jetë përmes një procesi civil është gjë e mirë, por ajo tërheq vërejtjen se kjo gjë duhet të bëhet me shumë kujdes.

    Duke folur për ligjet që duhet të amendamentohen në emisionin për sundim të ligjit ‘Iustitia’, që është bashkëprodhim i Radios Evropa e Lirë dhe Betimi për Drejtësi, , ajo përmend Ligjin për përgjegjësinë disiplinore, ku thotë se për shkak të një gabimi, ky ligj nuk po lejon që të suspendohen gjyqtarët dhe prokurorët që bëjnë shkelje të rënda disiplinore.

    “Gjëja e parë është që ju (Kosova) duhet të vendosni se çfarë nënkuptoni me vetting. Termi vetting, siç kuptohet, të paktën në Shtetet e Bashkuara, është që të vlerësoni rreziqet që një individ mund të ketë për ekspozim ose turpërim të institucionit ku ata kanë qenë në pozita që kërkojnë besim. Pra, ne shikojmë nëse ai person mund të jetë subjekt i ryshfetit, a mund ai të vendoset në një pozicion që do të turpëronte ose diçka tjetër, institucionin ku punon. Pra, nëse flasim për këtë, kjo gjithmonë do të jetë e rëndësishme.

    Mendoj se ne hyjmë në vështirësi… Siç e dini dhe ju, më 2009 dhe 2010, Kosova ka bërë vetting. Ai proces më pas u adoptua dhe u përshtat në Shqipëri.

    Nuk mund të keni një sistem ku ju e bëni të njëjtën gjë vazhdimisht, si një vetting që u krye një herë.

    Prandaj, nga perspektiva jonë, juve ju duhet një qasje sistematike dhe në një mënyrë që ka kuptim, sipas meje, dhe shpresoj të ketë kuptim edhe për publikun, është një lloj trekëndëshi, me të gjithë ata që kanë pozita që kërkojnë besimin e publikut. Dhe që të gjithë ata duhet të funksionojnë, në mënyrë që kjo të ecë përpara.

    Ju duhet të bëni vlerësimin e performancës, duhet ta dini se kush po e kryen punën mirë dhe kush po performon dobët dhe në cilin aspekt dhe duhet t’i mbani përgjegjës nëse janë të paaftë.

    Mendimi në mes të asaj që duket se është korrupsion, por mund të jetë thjesht paaftësi, është mendim i përhapur në Kosovë, të paktën prej asaj që unë kam parë. Pra, ka shumë raste kur dikush beson se diçka është korrupsion, por unë kam qenë dëshmitare, dhe më shumë duket si mungesë e aftësisë apo kapacitetit. Prandaj, ju duhet ta rregulloni atë proces.

    Ju po ashtu duhet të rregulloni disiplinën. Duhet të jeni në gjendje që të keni sens të përgjegjësisë kur dikush bën diçka që s’do të duhej ta bënte. Asnjëra prej këtyre nuk do të rregullohej nga asnjë lloj vetting-u që unë kam dëgjuar se është propozuar. Prandaj, nëse ju nuk i bashkoni këto, më pas do të jetë një proces që vështirë se do të rregullohet”, është shprehur ajo.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!