×
  • Lajme
  • Lajme / Detaje

    Këta janë tre të dyshuarit që dolën sot para gjykatës për rastin në Banjskë

    Reporteri
    25 Shtator 2024 | 10:54

    Sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë janë sjellë tre të dyshuarit për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, por për shkak se mbrojtja e të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq kërkoi të ndërprehet seanca fillestare me arsyetimin se kanë pranuar shkresat e lëndës në mënyrë elektronike dhe me vonesë, seanca u ndërpre, menjëherë pas identifikimit të të dhënave personale të tyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Nën masa të rrepta sigurie, tre të dyshuarit u sollën në seancë, ndërsa prezentë aty raportohet të ketë edhe familjarë të tyre.

    Blagoje Spasojeviq është 32-vjeçari nga Mitrovica i cili posedon shtetësinë e Kosovës dhe atë të Serbisë. Është baba i dy fëmijëve dhe ka të përfunduar shkollimin e mesëm, mjekësi.

    Blagoje Spasojeviq

    Vladimir Toliq me profesion artistit i folklorit nga “Zveçani i Vogël” i cili poashtu ka dy shtetësi, atë të Kosovës dhe Serbisë si dhe është baba i dy fëmijëve.

    Vladimir Toliq

    Dushan Maksimoviq është 28-vjeçar nga Mitrovica, shtetas i Republikës së Kosovës dhe i Serbisë.

    Dushan Maksimoviq

    Dje janë bërë një vit nga sulmi në fshatin Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Lidhur me sulmin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dy javë më parë ngriti aktakuzë ndaj 45 personave.

    Prokurori i rastit, Naim Abazi kishte thënë se ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerja e veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

    “Ndër të akuzuarit kryesor është edhe udhëheqësi kryesor i grupit, Milan Radoiçiq, cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, kishte deklaruar Abazi.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!