I dyshuari për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë, 26 vjeçari E.R nuk është person i panjohur për drejtësinë, mbi të rëndojnë disa vepra penale.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se mbi të dyshuarin E.R rëndojnë veprat penale: “Vjedhje e rëndë” “Vjedhja e Pyllit” dhe “Dhuna në Familje”.
Për këto raste ndaj tij janë ngritur edhe aktakuza.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se për personin me inicialet E.R., pas verifikimit në data bazë e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, figurojnë raste penale kundër tij në drejtim të veprave penale “Vjedhja e rëndë”, “Vjedhja e pyllit” dhe “Dhuna në familje”, të parapara sipas KPRK-së, për të cilat raste Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuza dhe i ka proceduar në gjykatë për trajtim të mëtejmë”, ka thënë për Reporteri.net zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Lidhur me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, deri më tani janë arrestuar katër persona, gjersa Policia njoftoi se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më herët kanë konfirmuar për Reporteri.net se edhe dy personat e tjerë të arrestuar dje, si të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, janë të mitur.