Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas deklaratave të Ministres së Drejësisë, Albulena Haxhiut, të cilat i ka quajtur “deklarime cirku” e që nuk meritojnë as reagim më të thelluar.
Kica-Xhelili ka thënë se “Ministren e Drejtësisë e kemi definitivisht, dhe moti, të dehur”, shkruan Reporteri.net.
“Esëllia nuk ka të bëj vetëm me pije. Ministren e Drejtësisë e kemi definitivisht, dhe moti, të dehur. Deklarime cirku që nuk meritojnë as reagim më të thelluar”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Ndryshe, Haxhiu, është deklaruar sërish me rastin e Faton Hajrizit, ku tha se ende ka diskutime nëse është vrarë apo jo.
Haxhiu ka bërë edhe një ndërlidhje të këtij rasti me kontratat që Serbia nënshkroi për litiumin.
“Në rastin e fundit, ende ka diskutime nëse është vrarë ose jo, nëse është trupi i Faton Hajrizit sepse Serbia refuzon të japë informacione për këtë. Rasti ka ndodhur në prag të nënshkrimit të kontratave të për litiumin. Vendi ku dyshohet se ka ndodhur vrasja e policit dhe plagosja e një tjetrit është 9 kilometra rreth vendi ku planifikohet që të ndërtohen minierat dhe për të kundërshtuar kontratën me litiumin ka pasur paralajmërime për protesta të mëdha atje dhe momenti kur ka ndodhur ky rast, ajo zonë është rrethuar komplet, rrjedhimisht ka pamundësuar që të ketë reagime qytetare. Tash shtrohen shumë pyetje. Pse bash atë ditë dhe në atë zonë. Çka ka kërkuar Faton Hajrizi në atë pjesë”, ka thënë Haxhiu në KTV.
Haxhiu ka deklaruar edhe se partitë opozitare janë duke e penguar reformën në sistemin e drejtësisë nëpërmjet dërgimit të ligjeve në Gjykatën Kushtetuese për koment.
Ajo është shprehur të hënën se institucioni që ajo drejton “i ka përmbyllur me sukses detyrat”, por që shtoi se vonesat e Kushtetueses po i shtyjnë proceset.