Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që të dëgjojnë këshillat që u jepen nga aleatët e t’i zbatojnë obligimet e marra në dialog.
Gjatë një konference njëditore të mbajtur në Prishtinë, një kërkesë të tillë e pati Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier dhe ai i Gjermanisë, Jorn Rohde.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier në konferencën “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor”, ka thënë se vendi i tij ka ndihmuar Kosovës që t’i njihet pavarësia e që do ta ndihmojnë edhe më tutje, derisa theksoi se Kosova mund mund të jetë drejt anëtarësimit të BE-së dhe NATO-s, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ambasadori amerikan në panelin së bashku me ambasadorët tjerë, atë të Gjermanisë dhe BE-së, e që pjesë ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se Kosova duhet t’i përmbush standardet, dhe se siç tha ai nëse Kosova do të trajtohej më ndryshe nëse do të ishin zbatuar obligimet nga marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, duke përmendur këtu edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Manastirin e Deçanit.
“Kosova ka përfituar shumë. Varet nga këndvështrimi. SHBA i ka qëndruar përkrah Kosovës dhe BE-ja po ashtu. Ne kemi ndihmuar Kosovën që të njihet pavarësia, që ta shtyjmë më tutje, e kemi ndihmuar edhe kundër spastrimit etnik. Kjo nuk do të thotë që do të mbështesim të gjitha qeveritë me të gjitha vendimet. Kjo do të thotë që ne duhet të jemi të saktë, sepse jemi duke dhënë këshilla që qeveria t’i ndihmojë vendit që të jetë një vendim multietnik dhe sovran dhe në këtë mënyrë mund të them që Kosova ka fituar shumë. Kosova mund të jetë në rrugëtim drejt anëtarësimit në BE, NATO, të gjithë jemi duke punuar drejt këtij qëllimi”.
“Kosova duhet t’i përmbush standardet dhe jo si aktorët e tjerë të kësaj melodrame që nuk i ndajnë qëllimet e njëjta. Procesi i dialogut ka rezultuar me një marrëveshje të mirë për normalizim dhe ne mund të kontestojmë se kush është i gatshëm të implementojë dhe çfarë është i gatshëm. Duhet të besojmë që komuniteti ndërkombëtarë do të sillen më ndryshe nëse do të ishin duke i implementuar këto obligime, duke miratuar draft-statutin për Asociacionin që nuk është kundër Kushtetutës së Kosovës, dhe nëse ishin duke ecur drejt njohjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Një listë gjërash që janë pjesë e Marrëveshjes Bazë apo marrëveshjeve të tjera.
Rreth asaj se Kosova mund të ketë rrugëtim drejt NATO-s, Hovenier tha Qeveria Kurti nuk është duke punuar në disa kërkesa të qarta për të lëvizur përpara.
“Vendimet merren me konsensus të plotë të gjithë anëtarëve, dhe katër aleatë nuk e njohin Kosovën. Pra na duhen argumentet më të mira të mundshme. Në këtë moment, Qeveria ime nuk mendon që i ka argumentet e nevojshme për të mbrojtur në Bruksel, pasi nuk na duket që kjo Qeveri është duke punuar me ne në disa kërkesa shumë të qarta për t’i lëvizur gjërat përpara. Ne duam ta bëjmë këtë”, tha Hovenier.
Zbatimin e obligimeve të marra e ka kërkuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Rohde ka thënë se Kosova duhet t’i kryejë detyrat e shtëpisë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, pavarësisht se ajo është afër anëtarësimit.
Kështu u shpreh Rohde në kuadër të pyetjes që iu bë se “A mundet që BE-ja të tregojë fuqinë e saj në rajon dhe cilat janë vendimet që duhet të merrni ju si pjesë e BE-së dhe popullit në rajon?”.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është më i afërti, kemi shtyrë për këtë vitin e kaluar. E dimë se sa i rëndësishëm është. Sepse Këshilli i Evropës është në një pozicion të ndryshueshëm, ka pasur dramatizim me pezullimin e Rusisë. Dhe tani, me anëtarësimin e Kosovë, afër portës dhe i dimë kushtet, Por edhe Kosova i ka detyrat e shtëpisë, që duhet t’i kryejë dhe këtë e mendoj kur them vendimet e duhura”, ka shtuar Rohde.
Sa i përket funksioneve të Bashkimit Evropian në Rajon, Rohde ka potencuar se “veglat apo mjetet e tyre janë Dialogu Kosovë-Serbi, Procesi i Berlinit, Plani franko-gjerman, Marrëveshja e Ohrit apo Statuti i Asociacionit”.
“Veglat ose mjetet e duhura të Bashkimit Evropian në rajon janë si: Dialogu, Procesi i Berlinit, Angazhimi bilateral, kemi QUINT-in, dhe kemi zhvilluar ndoshta mënyra për të rritur progresin. Më doket vetja sikurse “micro menaxheri”, kemi planin Franko-gjerman, pastaj Marrëveshjen e Ohrit, Statutin e Asociacionit. Në procesin e Berlinit kemi zhvilluar idetë për baza bilaterale, për të shtyrë gjërat përpara”, shtoi ai./Reporteri.net/
Rohde: Kosova t’i kryejë detyrat e shtëpisë për anëtarësimin e saj në KiE