×
  • Lajme
  • Lajme

    Kompania e mbeturinave në Mitrovicë punëson 19 punëtorë pa konkurs

    Reporteri
    23 Qershor 2019 | 14:15

    Një numër të madh parregullsish ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në kompaninë rajonale të mbeturinave Uniteti në Mitrovicë.


    Rekrutimi i punonjësve pa shpallje të konkursit publik, punëtorët pa kontrata për marrëdhënie pune, blerja e mallrave dhe shërbimeve pa procedura të prokurimit, menaxhimi i shpenzimeve në mënyrë të jo duhur, janë disa nga parregullsitë që Auditori ka gjetur në këtë ndërmarrje.

    Uniteti në Mitrovicë gjatë vitit 2018, ka punësuar gjithsej 19 punonjës për punë dhe detyra specifike me kohëzgjatje të caktuar, mirëpo këta punonjës mbulonin pozitat e rregullta të punës dhe për të cilët nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit, shkruan Reporteri.net.

    Ndërsa nga 100 mostrat e testuara për paga dhe mëditje, Auditori ka vërejtur se në 12 raste mungojnë kontratat valide të punës për punëtorët të cilët janë aktualisht të punësuar në kompani.
    “Mungesa e kompetencës dhe angazhimit të mjaftueshëm nga ana e departamentit të burimeve njerëzore dhe mos informimi i drejtë i punëtorëve rreth përgjegjësisë dhe obligimeve të nënshkrimit të kontratës, kanë ndikuar që punëtorët e kompanisë të vazhdojnë punën pa kontrata”, tregon Auditori.

    Shkelje tjetër e kësaj kompanie është se ka blerë mallra dhe shërbimeve pa procedura të prokurimit.

    Nga 55 pagesat e testuara, Auditori ka vërejtur se në 38 prej tyre me vlerë totale 100,828€ kompania kishte bërë blerje direkt nga operatorët ekonomik duke anashkaluar procedurat e prokurimit.

    Auditori poashtu ka gjetur se kjo kompani nuk ka përgatitur ndonjë rregullore për menaxhimin e shpenzimeve dhe furnizimeve, e cila duhet të përshtatet me nevojat dhe kërkesat e kompanisë, ashtu siç kërkohet me statutin e saj.

    “Ne kemi vërejtur se nga tetë (8) pagesat e testuara për blerjet e vitit për pasuritë, në shtatë (7) prej tyre me vlerë 29,071€, si dhe nga 47 pagesat e testuara për mallra dhe shërbime në 36 prej tyre në vlerë 83,025€ nuk kishte kontrata në të cilat do specifikoheshin të gjitha të drejtat dhe detyrimet e palëve. Po ashtu, për këto pagesa mungojnë autorizimet e nevojshme për aprovim të pagesës nga zyrtarët përgjegjës si dhe nuk ekziston një proces formal i pranimit të pasurive, mallrave apo shërbimeve. Kjo ka ndodhur si pasojë e neglizhencës së kompanisë dhe mos vlerësimit të rëndësisë së rregullores për menaxhimin e shpenzimeve dhe furnizimeve e cila duhet të përshkruaj procesin e ndodhjes së një shpenzimi”, thuhet në raport, shkruan Reporteri.net.

    Gjetje tjetër është kompensimi i punëtorëve për pushimet vjetore.

    Nga 100 mostrat e audituara është evidentuar që kompania gjatë vitit 2018, nëntë punonjës të saj kishte kompensuar për pushimet vjetore të pashfrytëzuara me mjete monetare në vlerë prej 2,514€, mirëpo nuk kishte dokumente mbështetëse që arsyetojnë nevojën e angazhimit shtesë të punonjësve.

    Auditori poashtu ka gjetur se në këtë kompani mjetet e mbledhura nga inkasantët nuk depozitohen në llogari bankare.

    “Kompania ka një numër inkasantësh në terren të cilët mbledhin para të gatshme për shërbimet e ofruara për klientët. Këto mjete pasi mblidhen nga inkasantët dorëzohen në arkë dhe shfrytëzohen për shpenzime nëpërmjet arkës gjatë tërë muajit. Në fund të muajit mjetet e grumbulluara nga arka depozitohen në llogarinë bankare për kryerjen e pagesave ndaj furnitorëve dhe ndaj punonjësve. Sipas punonjësve mjetet nuk depozitohen në llogarinë bankare për shkak se kompania ka obligime të mëdha ndaj furnitorëve dhe ekziston rreziku që paratë do të bllokohen apo tërhiqen nga përmbaruesit”, thuhet në raport.

    Gjetje tjetër është mos plotësimi i pozitës me zyrtarin çertifikues.

    Auditori thotë se kompania në fjalë nuk kishte caktuar një zyrtar çertifikues për çertifikimin e pagesave dhe si rrjedhojë janë shfaqur dobësi në menaxhimin e shpenzimeve.
    “Nga 55 pagesat e testuara në 38 prej tyre mungojnë autorizimet e nevojshme nga zyrtarët përgjegjës, nuk ka kontrata, nuk janë zhvilluar procedurat e prokurimit etj. Kompania e kishte nënvlerësuar rëndësinë e pozitës së zyrtarit çertifikues dhe i kishte anashkaluar kërkesat e LMFPP-së”, thuhet në raport.

    Kjo kompani nuk ka rregullore për menaxhimin e pasurive, e cila duhej të përshtatej me nevojat dhe kërkesat e kompanisë bazuar në standardet dhe ligjet në fuqi, shkruan Reporteri.net.

    Mungesa e kësaj rregullore sipas Auditorit ka ndikuar që pasuria gjatë vitit të mos menaxhohej në mënyrë adekuate.

    “Rrjedhimisht, regjistri i pasurisë së kompanisë është i mangët pasi që në të nuk janë përfshirë të gjitha ato pasuri të cilat ishin me vlerë zero por që ishin ende në përdorim nga Kompania. Kjo ka ndodhur si pasojë e neglizhencës së menaxhmentit të kompanisë dhe mos vlerësimit të rëndësisë së rregullores për menaxhimin e pasurive e cila duhet të përshkruaj procedurat standarde për dokumentimin, ruajtjen, tjetërsimin e pasurive, mbajtjen e saktë të të dhënave të pasurisë dhe regjistrimin e tyre”, thuhet në raport. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!