Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti gjatë dy ditëve të kaluara kanë zhvilluar takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme e kongresistë amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Në Mynih ishte edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe zëvendës Presidentja e SHBA-së, Kamala Harris.
Por presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti nuk u takuan as me Blinken e as Harris, shkruan Reporteri.net.
Për dallim nga krerët e shtetit të Kosovës, me sekretarin amerikan Blinken u takua presidenti serb, Aleksandër Vuçiq të shtunën në Mynih me të cilin tha se ka pasur “një bisedë produktive”.
“Biseduam për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe për atë se sa e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”, shkroi Blinken në Twitter, duke publikuar dy fotografi nga takimi.
Blinken një ditë pasi takoi Vuçiqin, të dielën përmes një postimi në Twitter tregoi se është larguar nga Gjermania dhe udhëtoi drejt Turqisë për një vizitë zyrtare për t’i ofruar ndihmë Ankarasë për pasojat e tërmetit shkatërrues që i la të vdekur dhjetëra mijëra njerëz.
Kurti ndërkaq në Mynih takoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz ku kanë diskutuar për planin franko-gjerman.
Kryeministri Kurti takon kancelarin Scholz në Mynih, flasin për dialogun dhe planin franko-gjerman
/Reporteri.net/.