×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca: Do t’i gjurmojmë krimet serbe dhe do t’i dënojmë përgjegjësit

    Reporteri
    31 Mars 2021 | 17:02

    Ushtruesi i detyrës së Presidentit, Glauk Konjufca ka vazhduar homazhet në Malishevë, në 22 vjetorin e masakrës së Burimit, ku tha se do të punojnë në gjurmimin dhe gjykimin e kriminelëve serbë në mungesë.


    Konjufca tha se falë atyre që dhanë jetën, Kosova sot gëzon lirinë.

    Ai kujtoi 14 mijë qytetarët e Kosovës që janë masakruar dhe vrarë nga pushteti gjenocidal serb dhe 2500 dëshmorët që kanë rënë në dyluftim, pa të cilët Kosova nuk do të mund të ishte këtu ku është.

    “Si popull nuk do të mund të jemi kurrë të qetë dhe aq më pak familjarët, të cilët i kanë humbur më ët dashurit e tyre. Nuk mund të qetësohet shpirti dhe zemra e tyre nëse përfundimisht drejtësia nuk bjen në vend dhe kriminelët e marrin dënimin e merituar. Shumë prej atyre që kanë masakruar familjarët tanë enden të lirë nëpër Beograd dhe vende të tjera të Serbisë, kështu që është detyrë e jona me i gjet, me i gjurmu dhe pse jo, me i dënu edhe në mungesë. Shteti jonë i ka tash të gjithë mekanizmat e nevojshme për me i dënu kriminelët e ushtrisë, paramilitarët e Serbisë, të cilët i kanë bërë këto masakra në Kosovë”, tha ai.

    Më 31 mars të vitit 1999, tek Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës, forcat ushtarake serbe, kanë vrarë dhe kanë masakruar 42 qytetarë civilë të pafajshëm, nga fshatrat Astrazup dhe Dragobil, si dhe tre qytetarë të komunës së Suharekës, të cilët ishin strehuar me familjet e tyre në Dragobil.

    Në 22 vjetorin e kësaj masakre homazhe dhe nderime, bashkë me familjarët kanë bërë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me qeverinë komunale, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jetmire Vrenezi, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, së bashku me anëtarët e Kuvendit të Komunës, komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Azem Krasniqi, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, mulla Sead Paçarizi, dhe qytetarë e zyrtarë të shumtë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!