Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur hapat për një rrugëdalje nga ngërçi i krijuar qe gati një muaj. Nga e enjtja, ajo do të fillojë një seri konsultimesh me liderët e partive rreth konstituimit të Kuvendit, që ka dështuar tash e 14 herë. Në një takim synon t’i mbledh liderët e partive shqiptare, teksa në një takim tjetër ata të minoriteteve. Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar liderët e partive që deri vonë kanë qenë në pozitë, derisa nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ende s’janë përgjigjur nëse do t’i shkojnë Osmanit në takim, shkruan Reporteri.net.
Dështimet e njëpasnjëshme për konstituim të Kuvendit, e kanë nxitur Presidenten Vjosa Osmani që ta marrë këtë çështje në dorë, e t’i mbledh liderët e partive në kërkim të një zgjidhje.
Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka konfirmuar se nga 15 maji, Osmani do të fillojë konsultimet.
“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, ka deklaruar Kupina.
Për këtë ftesë, Osmani i ka deri tash tri “Po”.
Zëdhënësi i PDK’së, Faton Abdullahu, ka konfirmuar për Reporteri.net se kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Osmani.
Krasniqi javën e kaluar i kishte bërë thirrje Osmanit për thirrjen e një takimi të tillë.
“Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja. Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë.”, ka thënë Avdullahu.
Edhe nga LDK kanë konfirmuar pjesëmarrjen e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, në takim.
“Po e kemi pranuar ftesën dhe kryetari Abdixhiku do të merr pjesë në takim”, ka deklaruar për Reporteri.net, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa.
Në këtë takim do të shkojë edhe Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj.
“Po, kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja”, ka deklaruar zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli për Reporteri.net.
Nga Lëvizja Vetëvendosje ende s’kanë dalë me ndonjë përgjigje.
Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur zëdhënësin e kësaj partie, Arlind Manxhukën, nëse do të marrin pjesë në takim, por deri në momentin e publikimit të tekstit, ende s’ka ndonjë përgjigje.
E pas këtij takimi, ndaras nga shefat e partive shqiptare, e para e vendit i ka thirrur në takim të përbashkët edhe përfaqësuesit e partive minoritare.
Ndryshe, nesër do të bëhet përpjekja e 15’të për konstituimin e Kuvendit.
Përpjekja e parë është bërë më 15 prill. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për Kryetare Kuvendi Albulena Haxhiun, emër që po kundërshtohet nga partitë tjera.
PDK dhe AAK i kanë kërkur disa herë VV’së që ta ndërrojë kandidaten, duke dhënë edhe emra që do të mund t’i votonin, por nga partia e parë s’kanë lëvizur.
LDK ndërkohë ka thënë se nuk e voton asnjë propozim të kësaj partie.
Për të dalë nga ngërçi i krijuar, një propozim është bërë javën e kaluar nga kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku.
Ai propozoi krijimin e një qeverie të tranzicionit, që do të kishte mandat deri në zgjedhjen e Presidentit.
Nga PDK dhe AAK deklaruan se do të pranonin të takoheshin në një takim për këtë çështje. Mirëpo, Haradinaj shtoi se nëse VV është pjesë e këtij takimi, kjo parti s’do të merrte pjesë, teksa Krasniqi tha se një takim i tillë do të duhej të thirrej nga Presidentja.
VV e ka kundërshtuar ashpër propozimin, madje eksponentë të saj janë lëshuar në sulme ndaj LDK’së.
Nevoja për krijim sa më të shpejtë të institucioneve është theksuar edhe në takimin e sotëm që ka pasur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me ambasadorët e QUINT’it.
Në njoftimin e ZKM-së u tha se temë qendrore e takimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, mirëpo ambasadorët deklaruan ndryshe.
Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves përmes një deklarate në Facebook, tha se e ka inkurajuar Kurtin për formimin e qeverisë së re.
Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë njoftoi se në takim është theksuar nevoja për formimin sa më të shpejt të një qeverie të re, që Kosova të ecë përpara në rrugën euroatlanatike.
Reporteri.net nga vendi i ngjarjes solli pamje teksa ambasadorët e QUNIT-it po dilnin nga takimi. Ata u panë tek bisedonin me njeri-tjetrin, për disa minuta, në oborrin e Qeverisë së Kosovës, për tu larguar më pas./Reporteri.net