×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosnett për marrëveshjen e Uashingtonit: Të mos mendojmë që historia rifilloi me presidentin Biden, e të harrohet çdo gjë e së kaluarës

    Reporteri
    21 Janar 2021 | 22:50

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett në një intervistë të gjatë në Politiko të Kanal 10 ka folur për të gjitha zhvillimet në Kosovë, mes tjerash dhe dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshjen e Uashingtonit.


    Ai duke folur për marrëveshjen e Uashingtonit ka thënë se historia nuk fillon me presidentin e ri amerikan, Joe Biden dhe nuk mund të harrohet asgjë nga e kaluara.

    “Mendoj se është pak herët që të përpiqem të them në mënyrë specifike çka do të ndodhë me marrëveshjen e Uashingtonit. Por, mendoj se është me rëndësi që t’i shikojmë elementet e asaj marrëveshjeje dhe nëse shikoni përtej procesit se si u arrit marrëveshja e Uashingtonit dhe i shikoni pjesët e saj – aty ka gjëra që kanë mbështetje të gjerë në Kosovë. Nuk e kam dëgjuar dikë duke thënë se nuk duan që p.sh. Kosova të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Marrëveshja e Uashingtonit bën thirrje për përpjekje të shtuara nga qeveria e SHBA-së për të nxitur investime amerikane në Kosovë. Nuk ma merr mendja që dikush është kundër shtimit të investimeve amerikane në Kosovë. Pra, duhet të shikojmë se në cilat nisma specifike mund të jetë e interesuar administrata e Biden-it, por mendoj se është me rëndësi që njerëzit të jenë të duruar dhe të mos supozojnë se historia rifilloi më 20 janar dhe që çdo gjë që ka ndodhur më parë duhet të harrohet”, tha ai.

    Ai tha se ende është herët të flitet për qëndrimin e administratës Biden rreth kësaj çështjeje.

    “ Mendoj se është me rëndësi që të mos bëjmë supozime. Sot është dita e parë e plotë e administratës Biden. Do të nënvizoja një deklaratë që i zgjedhuri për Sekretar të Shtetit i presidentit Biden, Tony Blinken e dha para Komisionit të Senatit para disa ditëve, kur duke iu përgjigjur një pyetjeje, ai theksoi se ka gjëra të politikës së jashtme të administratës Trump që duhet duartrokitur dhe në mënyrë specifike ai përmendi Kosovën dhe Serbinë si element që meriton respekt. Pra, mendoj se nuk duhet të supozojmë se administrata Biden thjeshtë do të grisë tërë punën e bërë nga administrata paraprake për çështjen Kosovë-Serbi. Por, kjo kalon te një pikë më e gjerë e që është: qëllimet e Amerikës për Kosovën janë qëllime dypartiake”, tha ai transmeton reporteri.net.

    Ai shtoi se Kosova do të vazhdojë të jetë partnere e nigushtë e SHBA-së.

    “Tërë kohën flasim për dëshirën tonë për të parë zhvillim ekonomik, mundësi ekonomike në Kosovë, forcim të sundimit të ligjit, të fitohet lufta kundër korrupsionit, si dhe për të parë Kosovën – së bashku me fqinjët evropianë – të integruar në Evropë. Për këtë arsye kemi theksuar nevojën për bashkëpunim më të mirë ekonomik, jo vetëm me Serbinë, por me të gjitha vendet e rajonit. E nuk dëshiroj të kem besim të tepruar sepse jemi në fillim të administratës Biden, por mendoj se e kam mirë nëse them që ato qëllime thelbësore të zhvillimit ekonomik, drejtësisë, marrëdhënie më të mira me fqinjët, marrëdhënie më të mira ndërmjet komuniteteve në Kosovë – këto të gjitha janë gjëra që demokratët dhe republikanët i kanë mbështetur me vite të tëra. Dhe të gjitha këto qëllime bashkohen në një vizion për Kosovë më me vetëbesim, më të vetëmjaftueshme dhe më me prosperitet, që do të vazhdojë të jetë partnere e ngushtë e Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ambasadori Kosnett, shkruan Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!