×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova dhe Serbia, kërcitje armësh përnjëmend apo vetëm në media?

    Reporteri
    16 Gusht 2022 | 16:48

    “Po përgatiten masakra në Kosovë” ishte ballina e tabloidit serb “Informer” para disa ditësh. Afër kësaj balline ishte vendosur fotoja e kryeministrit kosovar, Albin Kurtit. Gazeta beogradase “Veçernji Novosti” shkruante se janë të përfshirë snajperë – ku pretendohej se po synohet eliminimi i politikanëve të minoritetit serb në Kosovës, shkruan Deutsche Welle, përcjell Reporteri.net.

    Njëjtë sikur këto dy gazeta, pothuajse i tërë shtypi i Beogradit paraqiti ndjenja lufte me Kosovën fqinje në baza ditore, pa dhënë as edhe një fakt të verifikueshëm rreth kësaj.

    Përjashtime përbëjnë mediat e pavarura që nuk janë nën kthetrat e Presidentit [të Serbisë] Aleksandër Vuçiç.

    Prapavija: Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kohëve të fundit u ngritën pasi qeveria kosovare urdhëroi rregulla të reja për njerëz që hyjnë në Kosovë me karta identiteti serbe dhe për veturat me targa serbe: Sipas kësaj, serbët do të duhej të përdornin dokumente të përkohshme të lëshuara nga autoritetet kosovare për një kohë të caktuar.

    Në anën tjetër, Serbia këtë ka qenë duke e bërë me vite të tëra ndaj qytetarëve të Kosovës. Qeveria kosovare nën kryeministrin Albin Kurti andaj edhe ka këmbëngulur në atë që njihet si ‘reciprocitet’, që do të thotë se rregullat e njëjta t’i aplikohen dyja palëve.

    Frika: Rusia mund të ndez

    Masat përkohësisht u pezulluan përsëri për një kohë të shkurtër. Sidoqoftë, situata ka qenë jashtëzakonisht e nxhetë që atëherë. Si rezultat, disa vëzhgues druajnë se ka kërcënim real për luftë në Ballkanin Perëndimor.

    Njëra prej tezave është se Rusia mund të shfrytëzojë tensionet dhe të hap front të ri përmes aleates tradicionale të saj, Serbisë, që të zhvendosë vëmendjen nga lufta agresive që po kryen mbi Ukrainë.

    Serbia është i vetmi kandidat i BE-së që nuk merr pjesë në sanksionet kundër Moskës. Vendi ballkanik dënoi agresionin rus dhe votoi për rezolutat kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara.

    Por, presidenti Vuçiç, i cili ka qenë udhëheqësi i vetëm për dhjetë vjet, vazhdon të kryejë akte me litar dhe të kërcejë mes Lindjes dhe Perëndimit.

    Sa realiste është një luftë e re sot, ku Jugosllavia socialiste u shpërbë në mënyrë të përgjakshme në vitet 1990? Dhe a do të rrezikonte në të vërtetë Serbia të përplasej përsëri me NATO-n, edhe pse aleanca perëndimore ende mban prani ushtarake në Kosovë dhe Bosnje, dhe vende si Mali i Zi dhe Kroacia janë vetë anëtarë të aleancës së Atlantikut të Veriut?

    Rreziqe të supozuara kudo

    “Elitat politike në këtë rajon përfitojnë nga nacionalizmi dhe krijojnë tensione të llogaritura për ta bërë këtë,” thotë Mladen Lisanin i Institutit serb për Studime Politike (IPS).

    Asnjëra palë nuk është e interesuar për luftë. Por loja me zjarrin mund të dalë jashtë kontrollit në çdo moment, sipas politologut.

    Në fakt, shtypi serb javë pas jave paralajmëron për rreziqe fatale për serbët dhe Serbinë. Rrjedhimisht, ato herë fshihen në Kroaci, herë në Bosnje e herë në Mal të Zi, por më së shumti në Kosovë.

    Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, por qeveria në Beograd vazhdon ta shohë atë si territor të shkëputur të saj.

    Rusia dhe Kina gjithashtu nuk ia njohin pavarësinë.

    Nga ana tjetër, Kosova merr mbështetje nga Perëndimi, edhe pse pesë anëtarë të BE-së nuk e njohin atë si shtet të veçantë.

    Për qeverinë e Albin Kurtit, mosmarrëveshja aktuale për dokumentet personale dhe targat është një masë e vonuar, por për shumë serbë është një provokim i madh.

    Kur masat u prezantuan në fillim të gushtit, serbët ngritën barrikada në rrugë në veri të Kosovës.

    Ushtria serbe ka shtuar gatishmërinë operative, pala kosovare ka dërguar edhe njësi speciale policore dhe janë dëgjuar disa të shtëna.

    Ishte një raund i ri kërcitjesh me armë që mund të përsëritej së shpejti.

    Sepse pas pezullimit të përkohshëm të masave, qeveria Kurti kërkon t’i prezantojë përfundimisht në fillim të shtatorit.

    Vuçiç dhe Kurti do të takohen në Bruksel të enjten (18.08.2022), por pritshmëritë nuk janë të mëdha.

    Ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian midis ish-armiqve të kohës së luftës ka sjellë deri tani vetëm suksese shumë të pakta në vitet e fundit.

    Marrëdhëniet e Serbisë me NATO-n

    “Kushdo që të vijë me idenë për të na sulmuar, ne do ta mbrojmë Serbinë dhe më e rëndësishmja, do të fitojmë”, tha Vuçiç në një fjalim të fundit.

    Presidenti serb, i cili sundon pothuajse plotësisht në shtetin e vet, i pëlqen të theksojë se sa e fortë është bërë ushtria – dhe sa e madhe është hisja e tij në të.

    Zyrtarisht Serbia konsiderohet ushtarakisht neutrale.

    Ushtria gjatë viteve të fundit ka kryer rregullisht manovra me Rusinë, por edhe me vendet e NATO-s.

    Gjatë dy dekadave të fundit, ushtria është ristrukturuar sipas linjave perëndimore dhe gjithashtu merr pjesë në nismën e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

    Bashkëpunimi me NATO-n funksionon mirë, thotë Deutsche Welle.

    Më shumë nuk është e mundur në Serbi. “Aderimi i Serbisë në NATO mbetet krejtësisht jorealist, sepse shumica e elektoratit është kundër. Ky do të ishte një rrezik i madh për çdo elitë politike,” thotë politologu Lisanin.

    Sipas sondazheve, 80 deri në 90 për qind e serbëve janë kundër anëtarësimit në NATO, shkruan DW, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Politikanët serbë veprojnë në mënyrë hipokrite: ata bëjnë fushatë të pandërprerë kundër NATO-s përmes shtypit tabloid dhe zgjerojnë në heshtje bashkëpunimin me aleancën”, thotë Maja Bjelos nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCBP).

    Mirëpo, bashkëpunimi i mirë me Serbinë shpeshherë mbahet i fshehtë edhe në Perëndim, sipas politologes.

    Kosova dhe Serbia: Askush nuk dëshiron luftë

    Megjithatë, si shumica e ekspertëve të tjerë, Bjelos nuk beson se do të ketë një luftë të re.

    Politikanët në pushtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor simulojnë vazhdimisht kriza për t’i zbutur ato menjëherë më pas dhe për ta paraqitur veten si “faktorë stabiliteti”.

    Sipas Bjelos, BE-ja merr pjesë në këtë politikë të të ashtuquajturave “stabilokraci”.

    Kritikët akuzojnë Brukselin se i kushton më shumë vëmendje stabilitetit sesa demokracisë në rajon për vite me radhë.

    “Kjo është arsyeja pse ne mund të presim tensione në rajon, por jo konflikte të armatosura”, thotë Bjelos.

    “Përgjigja e përbashkët politike, diplomatike dhe ushtarake e Perëndimit ndaj pushtimit rus u tregon gjithashtu politikanëve ballkanikë se çfarë çmimi të tmerrshëm do të paguanin nëse do të shkaktonin diçka të ngjashme”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!