Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se së shpejti do të nisë sanimi i dëmeve në Manastirin e Banjskës, pas agresionit serb ku edhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku, transmeton Reporteri.net.
“Zotimin e dhënë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 27 shtator 2023 për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator, po e konkretizojmë më shkresën zyrtare drejtuar Dioqezës Rashkë – Prizren”, shkroi ministri në Facebook.
Dioqeza Rashkë-Prizren kishte refuzuar ndihmën e institucioneve të Kosovës për restaurimin e Manastirit të Banjskës.
Por Çeku në letrën drejtuar kësaj dioqeze ka thënë se është obligim kushtetues i Kosovës ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare.
“Konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore ftojmë autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve në këtë aset të trashëgimisë kulturore”, tha tutje ai.
Grupi i armatosur, pasi vrau policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, u strehua në Manastirin Ortodoks të Banjskës dhe objektet përreth tij. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues të armatosur, që të tre serbë të Kosovës.
Në këtë manastir dhe objektet përreth, përfshirë shtëpi banimi, u konfiskua sasi e madhe armatimi, dy automjete të blinduara, më shumë se 20 automjete malore dhe dy motorë, po ashtu, për terrene malore.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.