×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Kosova nuk përfaqësohet më nga UNMIK-u në CEFTA, Ziadeh: Shtron rrugën për miratimin e marrëveshjeve tepër të rëndësishme

    Reporteri
    09 Tetor 2024 | 20:34

    Kosova do të përfaqësohet tani nga institucionet dhe zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pas pranimit të kërkesës së saj për heqjen e UNMIK-ut nga roli i përfaqësuesit. Vendimi është marrë sot nga Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s

    Lidhur me këtë vendim, ka reaguar Përfaqësuesja e Posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm (SRSG) dhe Kryetarja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

    Ziadeh ka mbështetur këtë marrëveshje, derisa ka thënë se UNMIK ka luajtur vazhdimisht një rol të rëndësishëm në lehtësimin dhe mundësimin e bashkëpunimit në CEFTA, shkruan Reporteri.net.

    Sipas saj, ky vendim shtron rrugën për miratimin e marrëveshjeve të rëndësishme.

    “UNMIK’u në mënyrë konstante ka luajtur një rol të rëndësishëm në lehtësimin dhe mundësimin e bashkëpunimit në CEFTA, duke përkrahur rrugën tek konsensusi që u arrit sot. Ky vendim shtroi rrugën për miratimin e marrëveshjeve tepër të rëndësishme për përfitimin dhe të ardhmen ekonomike për njerëzit në rajon”, thuhet në njoftim.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, tha të mërkurën në një konferencë për media se “nga sot, në takimet e komiteteve të përbashkëta, Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”.

    Kosova ishte përfaqësuar në CEFTA – marrëveshjen që synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve – përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) prej vitit 2007, kur iu bashkua asaj.

    “Pjesëmarrja përmes UNMIK-ut në CEFTA është larguar përfundimisht, kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta dhe përkushtimit të Kosovës për ta rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm”, tha Hajdari pas takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, i kryesuar nga Serbia, në Beograd.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!