×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova përjetësisht mike e Amerikës

    Reporteri
    11 Shtator 2019 | 13:05

    Policia, zjarrfikësit dhe ambulanca ndezën sirenat dhe dritat e mjeteve të tyre, ndërsa Garda e Nderit e Policisë së Kosovës uli në gjysmë shtizë flamurin amerikan.


    Krejt kjo në kuadër të aktiviteteve të Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, në shenjë nderimi për viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA.

    Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se në vitin 2001, Kosova i kishte ende varret e hapura nga lufta në Kosovë, kur më 11 shtator përjetuan edhe ngjarjen e rëndë në Amerikë, e cila u përcoll me lot në Kosovë.

    Duke përkujtuar se në kohët më të vështira të Kosova ka pasur një aleate të fuqishme si Amerika, Rexhepi tha se kjo e fundit do të jetë përjetësisht aleate e SHBA-së.

    “Ta dinë populli amerikan dhe institucionet amerikane, qytetarët amerikanë, se në veçanti populli shqiptar është falënderues dhe do të na keni aleat jo vetëm sot, por përjetë e mot”, tha Rexhepi.

    Menaxherja kryesore e ICITAP-it për Kosovë, Cimberly Wright, përmes një fjalimi përkujtoi edhe një herë ngjarjen e 11 shtatorit. Ajo kujtoi edhe kolegët e saj të cilët kishin humbur jetën po këtë ditë në krye të detyrës.

    “Asnjë homazh nuk mund t’i përshkruajë heronjtë tanë më mirë se akti i tyre i trimërisë që e shfaqën kur ata i asistuan bashkëqytetarët e tyre. Sot, ne ju themi faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithë atyre që vepruan shpejt dhe të dashurve të tyre, lutjet tona janë me ju. Prindërit, motrat, kolegët e juaj ishin heronj të vërtetë”, tha ajo.

    I pranishëm në shënimin e 18-vjetorit të sulmit ndaj Kullave binjake në SHBA, ishte edhe kryetari i Shoqatës “Lushnja” të Shqipërisë, Durim Meta.

    Ai tha se kombi shqiptar është një – si ata që jetojnë në Kosovë ashtu edhe ata në Shqipëri- ku për këtë ai pati një ftesë që vitin e ardhshëm kjo ditë të shënohet në Lushnjë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!