×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / LAJMI I FUNDIT

    Kosova shpall “non grata” ministren serbe pas deklaratës fashiste

    Reporteri
    14 Korrik 2026 | 21:15

    Kosova ka shpallur person “non grata” ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezana Paunoviq, duke i ndaluar asaj në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit nëpër territorin e Kosovës.

    Vendimi është marrë pas deklaratës së Paunoviqit se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, “do ta kishte përfunduar spastrimin etnik në Kosovë” gjatë vitit 1998.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka nxjerrë vendim për shpalljen e saj person të padëshirueshëm në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

    Ai ka thënë se deklaratat e tilla përfaqësojnë vazhdimësi të një politike që, sipas tij, për dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.

    “Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka deklaruar Sveçla.

    Ministri në detyrë ka theksuar se çdo tentativë për rikthimin e ideologjive të spastrimit etnik apo kërcënimin ndaj Republikës së Kosovës do të përballet me reagim institucional.

    “Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”, ka shtuar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!