Qytetarë të shumtë janë parë mbrëmjen e së shtunës në hapësirat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Ata kanë dalë që t’i presin bashkëatdhetarët të cilën vijnë për vizita në vendlindje, por aty nuk po respektohen masat parandaluese për përhapjen e virusit corona, shkruan Reporteri.net.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka siguruar pamje nga atje, ku shihen se qytetarët janë grumbulluar pa distancë fizike si dhe shumë prej tyre nuk po bartin as maska mbrojtëse kundër COVID-19.
Dy ditët e fundit numri i rasteve positive në 24 orët e fundit në Kosovë ka pësuar rritje.
E për këtë, ministri i Shëndetësisë ka thënë se në rritjen e rasteve ka ndikuar edhe heqja e Kosovës nga lista e vendeve me rrezik të lartë dhe ardhja masive e bashkatdhetarëve këtyre ditëve nga vendet evropiane.
Një javë më parë u paralajmërua ardhja e rreth 20 mijë bashkëudhëtarëvve nga vendet e Evropës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se fluksi më i madh i bashkatdhetarëve ndërlidhet me dy fakte: (1) Zvicra e ka hequr masën e karantinimit për qytetarët që kthehen nga Kosova në Zvicër si rezultat i numrit të vogël të rasteve me COVID-19 në Kosovë – heqja e kësaj mase iu krijon shumë më tepër lehtësi bashkatdhetarëve tanë për ta qëndruar në Kosovë dhe kur të kthehen atje nuk kanë nevoje të futen në karantinë.
Tjetra (2) është që në Kosovë është hequr kufizimi i lëvizjes dhe kjo atyre iu krijon mundësi më të mira që të kalojnë disa ditë në kushte më normale në Kosovë.
Numri total i rasteve pozitive me coronavirus në Kosovë është 16.130 raste nga 73.906 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 645 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 32 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.282 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.203. /Reporteri