Gazetari kosovar-suedez, Diamant Salihu, me prejardhje nga qyteti i Gjakovës, është shpërblyer me çmimin ‘Zëri i Vitit’, çmim i rëndësishëm për gazetarinë në Suedi.
Ky çmim vjen pas suksesit që pati ai edhe me librin e tij të parë të botuar në suedisht, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Siç raportojnë mediat suedeze Diamant Salihu i cili punon prej vitesh si gazetar në Televizionin Publik Suedez e ka fituar sonte çmimin e madh për gazetarë, në kategorinë “Zëri i Vitit”.
Salihu vlerësohet për punën e tij në monitorimin dhe raportimin e dhunës së bandave në Suedi.
“Unë i trajtoj me respekt dhe përulësi, sikur të takoj një politikan apo një person tjetër në pushtet. Kjo i bën njerëzit të duan të flasin”, tha Salihu në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Çmimi i Madh i gazetarisë në Suedi jepet në pesë Kategori: Zëri i Vitit, Tregimtari i Vitit, Rinovimi i Vitit, Zbulimi i Vitit dhe Çmimi i Madh i gazetarisë “Lukas Bonnier”. /Reporteri.net/.