×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosnett falënderon Kosovën për strehimin e refugjatëve afganë, Osmani i zotohet se do t’i qëndrojnë përkrah SHBA-së

    Reporteri
    25 Gusht 2021 | 20:19

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë falënderuar Kosovën për strehimin e e refugjatëve afgan.


    Këtë qëndrim të SHBA-së ia ka përcjellë Presidentes, Vjosa Osmani, ambasadori Philip Kosnett.

    Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate për media nga Presidenca.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani takoi ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Philip Kosnett për të diskutuar çështje të interesit të dyanshëm. Ambasadori Kosnett shprehu falënderimin e qeverisë së SHBA-ve për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”, thuhet në njoftim.

    Presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, nisur nga përvoja e kaluar, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Presidentja Osmani nënvizoi se Republika e Kosovës do t’i qëndrojnë përkrah SHBA-ve dhe shteteve aleate duke dhënë kontributin e saj në paqen ndërkombëtare.

    Presidentja Osmani shprehu falënderimin për mbështetjen e SHBA-ve në ballafaqimin me pandeminë që nga donacionet në pajisje mjekësore dhe vaksina deri tek nismat për njoftim të publikut për masat mbrojtëse kundër Covid-19 dhe informimit të drejtë për vaksinat.

    Po ashtu, Presidentja Osmani dhe ambasadori Kosnett diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!