×
  • Lajme
  • Lajme

    KQZ-ja ende pa udhëzime nga IKSHPK-ja për organizimin e zgjedhjeve në dy komuna

    Reporteri
    31 Tetor 2020 | 20:01

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka marrë udhëzimet nga institucionet shëndetësore lidhur me masat që duhet t’i ndërmarrë për procesin zgjedhor në Podujevë e Mitrovicë të Veriut.


    Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, ky institucion është në pritje të përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë e Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

    “Sipas dekreteve të Presidentit të Republikës së Kosovës, udhëzohemi që organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse në pajtim me ligjin për luftimin e pandemisë COVID-19. Në këtë drejtim, KQZ ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës udhëzime e këshilla për masat që duhet ndërmarrë në organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe jemi në pritje të përgjigjeve të tyre. Gjithashtu, KQZ-ja ka diskutuar në dy mbledhjet e fundit për t’ua mundësuar votimin të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, të cilët mund të jenë të infektuar dhe që rrjedhimisht nuk do të mund të shkojnë në vendvotimin e tyre për shkak se duhet të izolohen. Prandaj, meqenëse kjo është hera e parë që përballemi me një situatë të tillë të organizimit të zgjedhjeve në rrethana të pandemisë, KQZ-ja ka kërkuar udhëzime dhe këshilla se si të veprohet në këtë situatë”, ka thënë ai.

    Lidhur me udhëzimet, KOHA i ka dërguar pyetje IKSHPK-së, por nuk ka marrë përgjigje.

    Në anën tjetër, KQZ-ja gjatë javës që vjen pritet të vendosë lidhur me certifikimin e kandidatëve për kryetar të Mitrovicës së Veriut.

    Një nga ta është edhe Erden Atiq. Atiq shpreson që institucionet të marrin masat e nevojshme në mënyrë që mbajtja e zgjedhjeve në këtë komunë të mos anulohet.

    “Ma merr mendja që është sfiduese kjo edhe për Qeverinë edhe për Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet relevante, prapë e përsëris që shpresoj që nuk anulohen dhe shpresoj që ka mekanizma të cilët munden me i parapri rrezikut të Covid-it që mos me u anulu zgjedhjet”, ka thënë Atiq.

    Shpresën tek institucionet në menaxhimin e situatës me pandeminë e ka edhe kandidati i PDK-së, Florent Azemi.

    “Besoj që ata janë kompetent dhe këtë gjendje do ta menaxhojnë. Nëse është nevoja edhe me i shty kjo nuk varet prej neve. Çfarëdo vendimi ne do ta respektojmë”, ka thënë Azemi.

    Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut dhe në Podujevë do të mbahen më 29 nëntor. Kryetarin e komunës, qytetarët e Podujevës është dashur ta zgjedhin më 15 mars. Një ditë para ditës së zgjedhjeve, shkaku i situatës me pandeminë, ato u shtynë për një datë të pacaktuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!