×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi: Martin Berishaj është skandal ndërkombëtar, punon me Serbi, ambasador në Kroaci e akuzohet në Slloveni

    Reporteri
    25 Janar 2023 | 22:54
    Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Fotografi nga arkivi.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj është skandal ndërkombëtar. Ai e ka akuzuar Berishajn si të implikuar në mafinë energjetike dhe si financues të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Sipas Krasniqit, një rast i njëjtë si i Berishajt, i cili akuzohet për skandalin e madh financiar, që ishte raportuar fillimisht nga mediat sllovene, nuk gjendet në Kosovë e as ndonjë shtet tjetër.

    “Ky është skandal ndërkombëtar, o burrë. E ke një ambasador me prejardhje nga Mal i Zi, që merr nënshtetësi të Kosovës, që punon me Serbi, që është ambasador në Kroaci dhe që akuzohet në Slloveni. Kjo është e jashtëzakonshme, kjo kurrë nuk ka ndodh, jo vetëm tek ne, por as te këto shtete”, ka thënë në emisionin Pressing kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Krasniqi ka deklaruar se vetëm gjatë kohës së kryeministrit Albin Kurti në qeveri, dega e kompanisë GEN-I në Serbi, me të cilën dyshohet se është i lidhur Berishaj, ka përfituar rreth 10 milionë euro nga KEK-u.

    “Nëse s’gaboj vetëm në kohën e Kurtit, kompania GEN-I, dega në Serbi, i ka marrë dikund rreth 10 milionë euro kontratë prej KEK-ut. S’ka pasur KEK-u pa i sjell në komision, ju ftoj me i verifiku, por nëse s’gaboj është rreth 10 milionë euro”, ka deklaruar tutje ai.

    Krasniqi ka thënë se pyetjet për Martin Berishajn janë të panumërta.

    Ai ka shtuar se Berishaj kishte gënjyer nën betim gjatë marrjes në pyetje nga Komisioni Parlamentar, lidhur me raportimet e mediave sllovene.

    “Po shihet në mënyrë evidente, që Martin Berishaj ka gënjyer nën betim në komision, për mjetet që i ka tërheqë, për kompanitë që i ka pasë dhe deri kur i ka pasë. Një deputet i PDK-së e ka pyetur se a e ka financuar fushatën e VV-së, por ato që po thuhen në mediat sllovene, janë problematike. Martin Berishaj ka qenë këshilltar i Kurtit në Qeverinë e parë, është bërë për 24 orë ambasador. Po ashtu, duhet të dihet se ku e ka adresën”, ka thënë tutje kryetari i PDK-së

    Sipas Krasniqit, mentaliteti i qeversë për t’i mbrojturit të korruptuarit, është bërë trend. Ai u është drejtuar me një pyetje mbështetësve të VV-së.

    “Po du me i pyet votuesit e tyre, militantët e tyre po edhe votuesit që ia kanë dhënë shansin, a janë krenar me këtë Albin që e kanë sot?”, ka pyetur ai. /Express

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!