×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi pas takimit me Ramën: Kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës në situatën me Serbinë

    Reporteri
    27 Shtator 2021 | 13:05

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës një ditore në Kosovë, ka takuar edhe kreun e PDK-së, Memli Krasniqin.


    Ky i fundit përmes një shkrimi në Facebok, ka thënë se ka shprehur vullnetin e tij dhe të partisë që drejton, për të kultivuar raporte të afërta me institucionet e Republikës së Shqipërisë, transmeton Reporteri.net.

    Krasniqi ka thënë se gjatë bisedës me kryeministrin shqiptar, e kanë konsideruar të drejtë dhe legjitim masën e reciprocitetit të targave ndaj Serbisë.

    Postimi i plotë:

    Sot pata kënaqësinë të mirëpres në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i urova mandatin e tretë me radhë si udhëheqës i Qeverisë së Shqipërisë.

    Duke shprehur falënderimin për urimet e z. Rama me rastin e zgjedhjes time në krye të PDK-së, shpreha vullnetin tim dhe të përhershëm të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë.

    PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, për çfarë u pajtuam për nevojën e forcimit të mëtejmë të lidhjes dhe koordinimit aq të nevojshëm në mes nesh. Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët.

    Gjatë takimit biseduam për situatën e brendshme politike, menaxhimin e pandemisë, si dhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

    Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, e konsiderojmë të drejtë dhe legjitim. Por, shpreha shqetësim për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën, me ç’rast kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s.

    Kryeministrin Rama e falënderova për ftesën që më bëri për vizitë zyrtare në Tiranë, të cilët do ta realizoj që në momentin e parë të mundshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!