×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi për marrëveshjen e Energjisë me Serbinë: LVV kur ishte në opozitë e kundërshtonte

    Reporteri
    21 Qershor 2022 | 16:36
    Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Fotografi nga arkivi.

    Kryetari i PDK-së, ka komentuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë.

    Ai para mediave tha se kjo marrëveshje është diskutuar nga viti 2015, për të cilën e kishte kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë.

    “E shoh edhe si lajm i mirë edhe si lajm i keq. Lajm i mirë është se përfundimisht kryeministri i Kosovës bashkë me këtë Qeveri po e kuptojnë që ata që e kemi bërë në të kaluarën, që është në dobi të qytetarëve të Kosovës, dhe e shoh si lajm të keq se kundërshtimi i tyre dhe pasiguria e tyre politike e kanë zvarritur procesin 7 vjet. Kjo është marrëveshje që e kemi diskutuar prej vitit 2015 kur e kemi nënshkruar dhe kur është miratuar dhe konsideroj që zbatimi i saj do të mundësoj integrimin e plotë të sistemit energjetik duke përfshirë edhe faturimin e drejtë. Shpresoj që detajet t’i japë Qeveria dhe jo ne”, tha ai.

    Ndërkohë, Krasniqi pati ca fjalë edhe për raportet me Shqipërinë. Ai i vlerësoi ato si të zbehta.

    ““Ne kemi bashkëpunim me Shqipërinë dhe mendoj se mbledhjet e qeverive janë momentume të rëndësishme për t’i finalizuar bashkëpunimet mes dy vendeve i cili fatkeqësisht në kuptimin e raporteve politike kurrë nuk ka qenë më i zbehtë andaj pres nënshkrimin e marrëveshjeve përkundër faktit që janë marrëveshje të ricikluara”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!