Krasniqi: Qeveria Kurti-Osmani t’i ndalojë këto lojëra të rrezikshme, konflikti në veri i konvenon Rusisë

Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka shkruar për zhvillimet në Veri, ku tash e tri ditë po vazhdojnë incidentet e njëpasnjëshme. Madje, mbrëmë një polic i Kosovës është lënduar si pasojë e një sulmi që ka ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Serbovc të Zveçanit gjatë natës së mbrëmshme.

Krasniqi ka thënë se plagosja e policit do të duhej të ishte vija e kuqe ku qeveria Kurti-Osmani duhet të ndalet e të kërkojë zgjidhje politike, shkruan Reporteri.net.

Ai thekson se “çdo njeri normal e di që veriu i Kosovës de facto është i ndarë nga viti 19992, por profesori universitar thekson se një proces i riintegrimit filloi dhe u avancua deri në njëfarë pike me Procesin e Brukselit.

Por, thotë Krasniqi, atë proces riintegrimi e shkatërroi për dy ditë qeveria Kurti, me vendimin për targat, që ai e ka quajtur absurd.

Postimi i plotë:

KUSH PO I SHËRBEN RUSISË NË VERI?/Çdo njeri normal e di që veriu i Kosovës de facto është i ndarë nga viti 1999. Ura e Ibrit dhe “Rojat e Urës” kanë qenë simboli më brutal i ndarjes. U tentua të thyhej ajo bllokadë me protesta e trazira, përfshirë edhe trazirat e dhunshme të vitit 2004, por nuk u shënua asnjë sukses. Një proces i riintegrimit filloi dhe u avancua deri në njëfarë pike me Procesin e Brukselit, por edhe ai ishte parcial. Atë proces riintegrimi e shkatërroi për dy ditë qeveria Kurti, me vendimin absurd për targat. Ndarja e veriut sot është edhe më e madhe, se sa në vitin 2008. Fatkeqësisht, sot ka edhe njëfarë mirëkuptimi të faktorëve ndërkombëtar për këtë veprim të ri të serbëve, ngase qeveria Kurti nuk ka marrë para sysh këshillën e SHBA dhe të BE-së. Veprimet e qeverisë me targat ishin veprime të skandaloze. Me atë veprim Kurti i krijoi Serbisë alibi që ta shtyejë përpara projektin e shkatërrimit a federalizimit të Kosovës. Shpallja e zgjedhjve në komunat veriore nga Vjosa Osmani ishte xhoker për Serbinë. Gjeti rastin ta konfirmojë në terren ndarjen de fact të Kosovës. Plagosja e policit do të duhej të ishte vija e kuqe ku qeveria Kurti-Osmani duhet të ndalet e të kërkojë zgjidhje politike. Zgjedhjet duhte të shtyhen. Nëse nuk ndalon këto lojëra të rrezikshme, qeveria Kurti-Osmani bëhet përgjegjëse për konfliktin që vetëm sa nuk ka eksploduar dhe i cili i konvenon vetëm Rusisë. Serbia po kryen shërbime për Rusinë, sepse është shtet vasal i Rusisë. Po këta qeveritarët tanë, çfarë zori kanë, pse po futen në skemën e Rusisë për ukrainizimin e Kosovës?!