Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se ka pasur interesim të lartë në diskutimin publik me qytetarët në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore, ku folën për hapjen e Urës së Ibrit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se bashkë me kryetarin e Mitrovicës Verioire, Erden Atiq, nënkryetaren Katarina Adjancic dhe zëvendësdrejtorin e Policisë, Veton Elshani, u janë përgjigjur pyetjeve të shumta, duke u siguruar se hapja e urës do të kontribuojë në integrim, zhvillim dhe përafrim në mes të komuniteteve.
“Interesimi ishte i lartë dhe pyetjet ishin të shumta, ku për secilen dilemë dhe shqetësim që kishin qytetarët, anëtarët e shoqërisë civile si dhe mediat së bashku me Kryetarin Atiq, nënkryetaren Adancic, zëvendësdrejtorin Elshani dhe shefen e kabinetit të MPB-së Tela, ju përgjigjem duke i siguruar se hapja e urës do të kontribuojë në integrim, zhvillim dhe përafrim në mes të komuniteteve. Me këtë, i jam mirënjohës secilit për kontributin e tyre në këtë diskutim.
Siç e dijmë në këtë komunë jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb, shqiptar, egjiptian, boshnjak, ashkali dhe turq. Qytetarët nga lagjja e boshnjakve, qendra e qytetit, kodra e minatorëve, lagjja e doktorrëve, suhudolli, vinarci etj, kanë përmbajtje etnike të ndryshme por probleme dhe sfidat i kanë të njëjta, andaj duhet punë e përbashkët për t’i zgjidhur ato”, shkroi ai.
Sipas tij, së bashku do të sigurojnë që ura mbi lumin Ibër të jetë simbol i bashkëjetesës dhe sigurisë dhe jo i ndarjes dhe trazirave.
Ndryshe, ditën e sotme po bëhet testimi i Urës së Ibrit, ku po lëvizin tre kamionë të rëndë dhe të ngarkuar me qëllim që të matet stabiliteti i saj.
Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin po insiston që kjo urë të hapet për qarkullim, por kjo nuk ka gjetur mbështetje te aleatët ndërkombëtarë.
Të premten e shkuar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha pas takimit me Kurtin se vendet e QUINT-it në konsultim me NATO-n nuk mbështesin asnjë ndryshim të statusit të kësaj ure.