Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit për herë të tetë të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se mentaliteti i imponimit nga partia e parë, duhet të marrë fund.
Krasniqi para mediave i çoi tri mesazhe VV-së. Sa më parë që VV, i kupton këto tri çështje, Krasniqi tha se aq më mitë do të jetë për vendin.
Ndër të tjera, ai tha se koha e sundimit partiak ka përfunduar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Demokracia funksion me shumicë dhe jo imponim, institucionet janë të popullit dhe të asnjë partie të veçantë dhe e treta duhet ta kuptojnë të gjithë që koha e sundimit partiak ka përfunduar. Sa më parë që t’i kupton Vetëvendoje këto tri çështje, aq më mirë për vendin sepse vërtetë është e tepërt që të mblidhemi çdo dy ditë që t’i thirrin arsyes dhe të propozojnë një kandidat që merr shumicën. E kemi thënë që po i takon VV-së me propozu kryetarin, por nuk mundet me i marrë votat me zor.
Ky mentalitet i imponimit, presionit dhe nënshtrimit duhet të merr fund. Shpreh keqardhje si PDK për qytetarët për këtë tallje që VV-ja po e bën si parti e parë që me qëllim po e mban të bllokuar Kuvendin”, ka thënë Krasniqi. /Reporteri.net/
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar pas dështimit të tetë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas saj, VV-ja në përpjekje për të mbrojtur kandidaturën e tyre, po “reduktojnë tërë historinë e saj në një fakt biologjik “ajo është grua”, shkruan Reporteri.net.
Kica-Xhelili thotë që sipas VV-së, Haxhiu duhet votuar se është grua.
“Gratë po kthehen në objekte politike për përdorim retorik, jo subjekte me fuqinë për të udhëhequr në bazë të meritës”, ka shkruar mes tjerash ajo.
Postimi:
Përtej analizës politike: Kur gjinia përdoret si mbrojtje, humbin gratë
Në përpjekjen për të “mbrojtur” kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në vend që të theksojnë vlerat dhe kontributin e saj politik, kanë zgjedhur ta reduktojnë tërë historinë e saj në një fakt biologjik: ajo është grua.
Pra, sipas tyre, duhet votuar – jo për përgatitjen apo lidershipin – por sepse është grua. Në një analizë politike, do të sqaroja të gjitha rrethanat pse Albulena Haxhiu nuk i ka aftësitë e lidershipit apo përgaditjen e nevojshme, por për hir të mesazhit këtu, nuk po hyj në atë analizë.
Me këtë gjuhë të VV, nën maskën e progresivitetit, po prodhohet një regres i thellë: gratë po kthehen në objekte politike për përdorim retorik, jo subjekte me fuqinë për të udhëhequr në bazë të meritës.
Në këtë mënyrë, pa vetëdije, këta deputetë po e minojnë vetë pozitën e gruas në politikë. Jo duke e luftuar patriarkatin, por duke e ricikluar atë – në formën më tinëzare: patronizimin e saj përmes mbrojtjes artificiale.
Historia e grave në politikën kosovare – dhe më gjerë – është një histori e betejës, jo e favorizimit. Ka pasur dhe ka gra që janë ngjitur në majat e shtetit jo për shkak të gjinisë, por pavarësisht gjinisë së tyre. Sepse për to, gratë nuk ishin kuota, por individë me kapacitete, përgatitje dhe integritet.
Ato nuk kanë kërkuar mbështetje për shkak se janë gra, por sepse janë të zonjat. Sepse kanë ditur, siç thoshte Simone de Beauvoir, se:
“Nuk lindim gra – bëhemi.”
Në vend që të instrumentalizohet gjinia, duhet të theksohet puna, karakteri, qëndrueshmëria, vizioni dhe kontributi. Sepse po të ishte gjinia e mjaftueshme, historia nuk do të kishte pasur nevojë për figurat si Madeleine Albright, Angela Merkel, Golda Meir etj.
Kur politika përdor vlera të mëdha për qëllime të vogla, shkatërron të dyja.
Në momentin që betejat e grave në politikë degradohen nga vlerat meritokratike në “merita gjinore”, kemi humbur terren. Jo vetëm si shoqëri që pretendon të jetë demokratike, por si njerëz që kërkojnë drejtësi.
Një grua nuk ka nevojë të mbrohet për shkak se është grua. Ajo ka nevojë të mbështetet për shkak se është e aftë. E prandaj, në këtë rrafsh, një grua që mëton pushtet, duhet të jetë e aftë për të, e jo t’a qaj hallin e mos-pranimit të saj në faktin që është grua.
Koha është që gratë të mos përdoren si flamuj simbolikë, por të trajtohen si forca reale politike. Sepse përndryshe, nuk është gjinia ajo që po përdoret – por vetë dinjiteti njerëzor.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj shpreson që Lëvizja Vetëvendosje të ndryshojë kandidaturën në seancën e ardhshme, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se si parti janë treguar të hapur në ndryshimin e kandidaturës, për të dalë nga kjo situatë në të cilën ndodhet Kuvendi.
“Qëndrimi s’ka ndryshuar, besoj që VV e ka mundësinë me kry këtë përgjegjësi me qenëse i kemi dhënë opsion. Shpresojë që në seancën e ardhshme do ta propozojnë një kandidaturë unifikuese”.
“Ajo që dimë është që ne jemi tregu të hapur me Kryesuesin e seancës rreth çështjes së kandidaturës për Kryetar të Kuvendit dhe shpresoj që në seancën e radhës do të ketë një kandidatur që na bashkon. Përfundimisht s’është një situatë e mirë. E vërteta është që partitë politike kanë qëndrime, por ne kemi dhënë opsion me dalë prej kësaj situate, me një kandidatur që është e VV-së, por që e mbledh votën. VV duhet të kalkulojë mirë përgjegjësitë e veta”, tha ai para gazetarëve.
Rreth asaj nëse partia që ai drejton është e gatshme për zgjedhje të reja, Haradinaj tha se do të ishte e dhimbshme nëse vendi do shkonte në zgjedhje, pasi duhet të bëhet e pamundura që të kalohet nga kjo situatë.
“Është e dhimbshme nëse e çojmë vendin në zgjedhje. Ne edhe e kemi dhënë betimin për deputet. Zgjedhjet janë zgjidhja e fundit. Normal që janë zgjidhje, por ne duhet ta bëjmë të pamundurën që me kalu këtë situatë”, tha ai.
/Reporteri.net/
E propozuara për Kryeparlamentare nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu shpreson që opozita të reflektojë dhe konstituohet Kuvendi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të konstituohet dhe shpresojmë shumë në reflektim të opozitës”, tha shkurtimisht Haxhiu para gazetarëve.
Haxhiu madje sot pati rënie të votave, nga 57 sa merrte në seancat e kaluara.
Ajo sot mori veç 54 vota nga deputetët, 44 vota kundër dhe tri abstenime.
Në sallë ishin të pranishëm 110 deputetë.
Kjo ishte përpjekja e tetë për konsituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ani pse është kërkuar që të ndryshohet kandidati, por VV ka deklaruar se duke qenë se është gruaja më e votuar, propozimi në çdo votim do të jetë ai për Albulena Haxhiun.
/Reporteri.net/
Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se LDK-ja respekton të drejtën e partisë së parë për të propozuar Kryeparlamentarin, por kjo siç tha ajo nuk do të thotë që të bartin të drejtën e votës edhe te një subjekt tjetër, që të votohet sipas kërkesës së tyre, shkruan Reporteri.net.
Bajrami ka thënë se LDK-ja nuk bëhet pjesë e një mashtrimi politik që synon të mbajë vendin peng, dhe se sipas saj VV-ja me vetëdije po e bllokon konstituimin e Kuvendit.
“Refuzimi i tyre për të propozuar një kandidat tjetër, për të ndërtuar një konsensus minimal institucional, dhe për të respektuar nevojën për bashkëpunim politik, tregon qartë mungesën e vullnetit për t’i shërbyer vendit”, ka shkruar ajo mes tjerash.
Reagimi:
Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet në favor të një zgjidhjeje të përgjegjshme që respekton Kushtetutën, demokracinë parlamentare dhe vullnetin e qytetarëve. Ne respektojmë të drejtën e të parit për të propozuar kryeparlamentarin, por kjo nuk do të thotë që ne bartin të drejtën e votës te një subjekt tjetër, duke votuar sipas kërkesës së tyre. Janë dy mënyra për të bërë shumcën në Kuvend: i merr votat nga qytetarët ose bën marrëveshje politike. LVV-së të parën nuk ia kanë dhënë qytetarët të dytën s’po e don, sepse s’ka bërë asnjë përpjekje për ta arritur atë, andaj përgjegjësia është mbi ata dhe duhet të kërkohet nga ata.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bëhet pjesë e një mashtrimi politik që synon të mbajë vendin në peng për interesa të ngushta partiake.
LVV duke insistuar vetëm në një kandidatur për kryetare të Kuvendit dhe duke shpërfillë realitetin parlamentar po bllokon me vetëdije konstituimin e Kuvendit.
Refuzimi i tyre për të propozuar një kandidat tjetër, për të ndërtuar një konsensus minimal institucional, dhe për të respektuar nevojën për bashkëpunim politik, tregon qartë mungesën e vullnetit për t’i shërbyer vendit.
Kriza institucionale e shkaktuar nga LVV po dëmton ekonominë, po pengon zhvillimin, po thellon izolimin ndërkombëtar dhe po neglizhon secilin problem me të cilin sot përballen qytetarët.
Për çdo ditë që kalon pa institucione funksionale, fatura politike, ekonomike dhe sociale për qytetarët rritet.
Kosova meriton institucione funksionale, dialog politik dhe qeveri të përgjegjshme.
Propozimi për Albulena Haxhiun Kryeparlamentare në seancën e sotme ka marrë veç 54 vota nga deputetët, nga 57 sa pati marrë deri tani në seancat e kaluara, shkruan Reporteri.net.
Dy nga tri votat e munguara janë, Nezir Kraki për të cilin njoftoi edhe vetë Glauk Konjufca, si dhe Veton Berisha.
Kundër votuan 44 deputetë dhe tri abstenime.
Kjo ishte tentativa e gjashtë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në Krye të Kuvendit.
/Reporteri.net/
Albulena Haxhiu ka dështuar të zgjidhet kryeparlamentare edhe në përpjekjen e gjashtë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Propozimi i LVV-së për Haxhiun kryeparlamentare është hedhur në votim tashmë për gjashtën herë dhe në të gjitha këto raste ka dështuar.
Nga 110 deputetë të pranishëm në sallë, Haxhiu mori 54 vota pro, 44 kundër dhe 3 abstenime.
Seanca është shtyrë për të enjten, në ora 10:00.
Kjo ishte përpjekja e tetë për konsituimin e Kuvendit të Kosovës. /Reporteri.net/
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se kandidatura e Albulena Haxhiut për Kryeparlamentare përbën kërcënim për besimin e qytetarëve në shtet, shkruan Reporteri.net.
Ajo ka thënë se kjo krizë ka pasoja të gjata, duke krijuar hendek të institucioneve dhe nevojave të popullit.
Postimi:
Kandidatura e Albulenës për Kryetare të Kuvendit nuk është thjesht një bllokim i procesit të konstituimit të institucioneve, ajo përbën një kërcënim për besimin e qytetarëve në shtet.
Kjo situatë, e cila reflekton një krizë të thellë politike, ka pasoja të gjata për stabilitetin institucional dhe për zhvillimin e Kosovës, duke krijuar një hendek mes institucioneve dhe nevojave të popullit. Me një veprim të tillë, po ndihmohet që stagnimi të bëhet normë, duke e vendosur vendin në një rreth vicioz të dështimeve.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka deklaruar sot në seancën parlamentare se pret që Albulena Haxhiu të jetë përsëri në qendër të zhvillimeve politike.
“Mirëmëngjesi, a jeni lodhur, si e keni kaluar? A po pritni ju diçka ndryshe? Patjetër që është përsëri Albulena Haxhiu”, u shpreh Sveçla.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur pesimist se sot partia e parë mund të vijë me një propozim tjetër për kryeparlamentar.
Haradinaj para mediave tha se si parti kanë dhënë zgjidhje për një kandidat unifikues.
“Nëse ndërrohet kandidati mund të lëvizë diçka, përndryshe situata do të jetë e njëjtë. Kemi dhënë një zgjidhje për kandidatë unifikues, nëse kjo ndodhë me siguri se do të votohet. Ne kemi përmendur dy emra, por ka edhe emra të tjerë”, tha Hardinaj.
Para nisjes së seancës deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka konfirmuar se Albulena Haxhiu do të jetë sërish e propozuara e VV-së për kryeparlamentare.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sërish ka zgjedhur të mos deklarohet para medieve, në kohën kur sot në Kuvend po mbahet seanca e tetë konstituive, shkruan Reporteri.net.
Nga Vetëvendosje kanë deklaruar se emri i Albulena Haxhiut për ta mbetet i pandryshuar, e madje po e cilësojnë se janë partitë tjera ato që po bllokojnë Kuvendin duke votuar kundër.
Të dielën, Albulena Haxhiu nuk mori për herë të pestë votat e mjaftueshme për Kryeparlamentare.
/Reporteri.net/
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se PDK-ja nuk ka votë për Albulena Haxhitun në seancën e sotme.
Qalaj tha se duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët që të ecet përpara.
“Emri i Albulena Haxhiut te PDK-ja nuk kalon. Duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët që të ecet përpara sepse ky kandidat nuk kalon”, tha Qalaj para mediave.
Paraprakisht deputeti i VV-së, Hekuran Murati konfirmoi se Albulena Haxhiu do të jetë sërish e propozuara e VV-së për kryeparlamentare. /Reporteri.net/
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se krejt kjo situatë që po ndodhë në Kuvendin e Kosovës i konvenon Albin Kurtit, shkruan Reporteri.net.
Pak para seancës së tetë për konstituimin e Kuvendit, Zemaj tha se një barrikadim i till po shihet që është lojë politike e paaftësisë për të pasur shumicën parlamentare.
I konvenon kjo situatë Kryeministrit. Ka ditë që s’ka deklarim nga ana e tij. Një barrikadim që po shohet që është lojë politike e paaftësisë për të krijuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, tha Zemaj.
/Reporteri.net/
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati para vazhdimit të seancës konstituive ka konfirmuar se edhe në këtë tetativë të tetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, do ta propozojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Murati tha se konstituimi i Kuvendit u takon të gjithëve dhe jo vetëm koalicionit qeverisës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Po shpresoj që sot të kemi një rezultat të kënaqshëm që të hapet rruga dhe të konstituohen institucionet e vendit. Patjetër që është emri i njëjtë, pra Albulena Haxhiu. Lus partitë pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës që me votën e tyre të marrin pjesë dhe të konstituohet Kuvendi sepse kjo është detyrë e të gjithëve. Ne në vazhdimësi kemi bë thirrje që të konsiderojnë votimin që të zhbllokohet procesi.
Konstituimi i Kuvendit u takon ë gjitha partive politike, nuk është çështje vetëm e një koalicioni qeverisës. Koalicioni qeverisës vlen vetëm për Qeverinë”, tha Murati para mediave. /Reporteri.net/
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet plotësisht.
Një tentativë e tetë në këtë drejtim do të bëhet sot. Kjo do të jetë seanca e tetë çdo 48 orë, që nga 15 prilli, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Nga VV-ja e kanë bërë të qartë se nuk do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Në pesë votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.
Partitë e tjera qe disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë. VV po insiston në emrin e Haxhiut.
Vetë Haxhiu ka thënë se nuk është optimiste se do të ketë ndryshim të situatës as ditën e sotme.
Sipas saj, s’ka vullnet për konstituimin e Kuvendit.
“Nuk jam shumë optimiste që situata do të ndryshojë në seancën e nesërme, pasi qëndrimet e subjekteve opozitare janë bërë të qarta publikisht. Për bindjen time, mungon vullneti për të konstituar Kuvendin dhe për të kaluar më tej në procedurat për zgjedhjen e Qeverisë”, ka thënë Haxhiu të hënën për Telegrafin.
Haxhiu ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i japin të drejtë vetëm partisë fituese të zgjedhjeve që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Sipas saj, opozita po e refuzon jo vetëm kandidaturën e saj, por në disa raste edhe çdo kandidat tjetër të mundshëm.
“Në këtë situatë, LDK-ja ka deklaruar se nuk do ta mbështesë as Albulena Haxhiun e as ndonjë kandidat tjetër, ndërsa dy subjekte tjera kanë kërkesa për emra të tjerë”, përfundoi Haxhiu.
Haxhiu tha se janë të gatshëm që të flasin me partitë e tjera për datën e zgjedhjeve.
“Është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës, VV-ja tashmë e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, duket se ka mungesë të vullnetit të konstituohet Kuvendi, por ne jemi të gatshëm t’i presim partitë politike, të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, ka thënë Haxhiu të premten.
Në këtë situatë është bërë bërë thirrje që presidentja Osmani të ndërmarrë iniciativë duke mbledhur liderët e partive në një takim të përbashkët për të gjetur një zgjidhje.
Presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.
Këshilltari për media, Bekim Kupina, tha se Presidentja është e hapur për konsultime me liderët e partive politike në çdo kohë që ata e konsiderojnë të përshtatshme.
“Presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”, tha Kupina.
Seanca e sotme pritet të mbahet në ora 10:00./Reporteri.net/