Një grua është vrarë, e një i mitur është plagosur në Ferizaj. Krimi ndodhi pasditen e së premtes, brenda objektit të Qendrës për Punë Sociale.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se sot rreth orës 14:40 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ka ndodhur një rast i vrasjes dhe sipas informatave të para dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka ndërruar jetë një person- e gjinisë femërore, ndërsa, një person tjetër- i mitur, ka mbetur i plagosur”, ka njoftuar Prokuroria e Shtetit.
Sipas njoftimit, i dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Jo zyrtarisht, mësohet se i dyshuari është ish-burri i gruas së vrarë, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në Ferizaj në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës. Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartëcekur”, thuhet në njoftim.