×
  • Lajme
  • Lajme

    Kritika ndaj deputetëve për mosrespektim të masave anti-Covid në Kuvend

    Reporteri
    28 Janar 2022 | 23:15

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës pa distancë e pa maska po i shkelin masat anti-Covid pothuajse në çdo seancë kuvendore.

    Mirëpo, pak metra nga objekti i Kuvendit të Kosovës, qytetarët po inspektohen e gjobiten për të njëjtat shkelje.

    Këta të fundit janë të frustruar se përfaqësuesit e tyre në parlament nuk po i respektojnë masat.

    “Natyrisht se është padrejtësi kjo që po bëjnë deputetët duke shkelur rregullat e vendosura nga IKSHPK-ja, prandaj edhe ata duhet të dënohen si qytetarët”, deklaroi për RTV Dukagjinin qytetari, Shyqri Dumani.

    “Kjo është një padrejtësi pasi edhe në Kuvend e në çdo hapësirë duhet të përdoren maskat. Kjo është për të mirën e popullit dhe të familjeve”, shprehet qytetari tjetër Veli Duraku.

    “Është e padrejtë pasi epidemia vazhdon për të gjithë, jo për dikë po e dikë tjetër jo”, shprehet qytetari Masar Krasniqi.

    Epidemiologu Shemsedin Dreshaj që është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës thotë se si deputetët ashtu edhe qytetarët nuk po respektojnë masat anti-COVID.

    “Numri i gjobave që shqiptohet në nivel vendi janë minore në raport me respektimin e masave standarde. Është shumë e vërtet që distanca në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston. Maskën disa e mbajnë e disa nuk e mbajnë”, deklaroi Dreshaj.

    Kritika për deputetë ka edhe Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve.

    “Në Kuvendin e Kosovës deputetët janë duke qëndruar pa maska. Në anën tjetër shumë qytetarë e biznese po gjobiten për shkak të shkeljes së masave, derisa politikanët po iu shmangen këtyre gjobave. Në këtë e shohim si një qasje diskriminuese dhe arbitrare ndaj qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Kodra.

    Vetëm gjatë kësaj jave rreth 3 mijë qytetarë janë gjobitur për mos respektim të masave anti-Covid.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!