×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri izraelit të martën u drejtohet me video-mesazh popullit të Kosovës – A do ta shpallë njohjen nga Izraeli?

    Reporteri
    13 Shtator 2020 | 9:00

    Fiks dy javë pas takimit dhe marrëveshjes së Washingtonit, në të cilën u përfshi edhe njohja mes Kosovës e Izraelit dhe vendosja e ambasadës së shtetit kosovar në Jerusalem, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t’i drejtohet popullit të Kosovës me anë të një video-mesazhi.


    E gjitha do të ndodhë të martën e 15 shtatorit, me rastin e “Rosh Hashanah”, kur shënohet Viti i Ri Hebraik, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Video-përshëndetja e Kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, për popullin e Kosovës dhe komunitetin hebraik në Kosovë, do të shfaqet në një ceremoni festive të Vitit të Ri Hebraik e organizuar nga Kryerabinati i Shqipërisë, në një nga hotelet e Prishtinës.

    Sipas agjendës së paraparë nga organizatorët, të siguruar nga Gazeta Online ‘Reporteri.net’, përveç video-mesazhit të Kryeministrit Netanyahu, gjatë ceremonisë mund të ketë edhe një lidhje direkte me kryeministrin izraelit.

    Në këtë ceremoni do të jenë të ftuar edhe krerët e shtetit, Presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Avdullah Hoti. Ky i fundit, një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit e ka zhvilluar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Presidentit amerikan Donald Trump.

    Gjatë asaj bisede, me anë të së cilës u njoftua mes dy kryeministrave vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, Kryeministri Hoti i konfirmoi Kryeministrit Netanyahu edhe për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Lajmin për këtë e shpalli edhe vetë presidenti amerikan, me anë të një cicërime në Twitter, disa minuta pas takimit.

    E gjitha ndodhi si pjesë e marrëveshjeve që Kosova e Serbia, ndaras, nënshkruan me SHBA-të, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në prani të presidentit Trump, për normalizim ekonomik mes të dy vendeve, shkruan Reporteri.net.

    Në marrëveshje përveç njohjes mes Kosovës e Izraelit dhe vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, gjithashtu u përfshi edhe vendosja e ambasadës së Serbisë në qytetin e kontestuar të Izraelit.

    Ndryshe, në eventin e të martës i pranishëm do të jetë edhe Kryerabini i Shqipërisë, Yowl Kaplan, që njëherit është edhe organizator i këtij eventi në kryeqytetin kosovar. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!