×
  • Lajme
  • Lajme / Botë

    Kryeministrja e Estonisë jep dorëheqje për t’u bërë kryediplomate e BE-së

    Reporteri
    15 Korrik 2024 | 12:00

    Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dha dorëheqje nga kjo pozitë, për t’u bërë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në fund të vitit.

    Kallas, kryeministrja e parë grua e Estonisë, i dorëzoi dorëheqjen zyrtare presidentit Alar Karis, gjatë një takimi në Pallatin Presidencial në Talin, të hënën, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Duke folur për kohën e Kallasit si kryeministre, për plot tre vjet e gjysmë, Karis tha se “ishte një kohë me plot kriza, si: koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia shkatërroi tablonë e mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”.

    Dorëheqja e Kallasit shkaktoi automatikisht dorëheqjen e kabinetit të saj tripartiak.

    Megjithatë, ai do të vazhdojë të shërbejë si qeveri teknike, derisa të betohet kabineti i ri – me shumë gjasa në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.

    Në pozitën e lartë në BE, Kallas do të pasojë shefin e deritashëm të politikës së jashtme, Josep Borrell.

    Një prej detyrave të saj pritet të jetë edhe ndërmjetësimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në të kaluarën, Kallas është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!