×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / Deklarata

    Kryesia e LDK-së: Rezultati zgjedhor nuk i përmbushi pritjet, por partia vazhdon me Abdixhikun

    Reporteri
    09 Korrik 2026 | 19:57

    Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas diskutimit për rezultatin zgjedhor, zhvillimet e fundit brenda partisë dhe situatën politike në vend, ka shprehur mbështetje për kryetarin Lumir Abdixhiku dhe ka bërë thirrje për ruajtjen e unitetit të subjektit politik.

    Në një komunikatë pas mbledhjes, Kryesia e LDK-së ka vlerësuar angazhimin e strukturave, kandidatëve, aktivistëve dhe anëtarësisë gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se rritja e shënuar në zgjedhje është pozitive, por jo në nivelin e synimeve të partisë.

    “Kryesia Qendrore vlerëson angazhimin e strukturave, kandidatëve, aktivistëve dhe të gjithë anëtarësisë së LDK-së gjatë procesit zgjedhor. Rritja e shënuar në një periudhë relativisht të shkurtër vlerësohet nga Kryesia e LDK-së”, thuhet në komunikatë.

    Megjithatë, partia ka pranuar se rezultati zgjedhor nuk i ka përmbushur pritjet politike dhe ka kërkuar analiza të brendshme për evidentimin e mangësive.

    “Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike. Përgjegjësia për të vazhduar punën, për të adresuar mangësitë dhe për ta shndërruar këtë rritje në besim edhe më të gjerë qytetar, është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftim.

    Kryesia ka konfirmuar mbështetjen për Abdixhikun në drejtimin e proceseve politike dhe organizative të partisë, përfshirë edhe diskutimet me subjektet e tjera parlamentare për formimin e institucioneve të reja.

    “Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë, si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare”, thuhet në komunikatë.

    Lidhur me kërkesat për një Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë, LDK ka theksuar se proceset e brendshme duhet të zhvillohen në përputhje me statutin dhe mekanizmat demokratikë të saj.

    “LDK i ka institucionet, Statutin dhe mekanizmat e saj demokratikë. Zgjedhjet e brendshme të LDK-së mbahen në afat të rregullt. Çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të plotë të institucioneve partiake dhe të vullnetit të lirë të anëtarësisë”, ka deklaruar Kryesia Qendrore.

    Në fund, Kryesia e LDK-së ka bërë thirrje për unitet dhe angazhim të përbashkët për forcimin e partisë.

    “LDK është më e madhe se secili prej nesh. Përgjegjësia jonë e përbashkët është ta ruajmë të bashkuar, ta forcojmë dhe ta çojmë përpara, me besim në anëtarësinë tonë, me respekt për demokracinë dhe me përkushtim ndaj Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!