×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryesia e re e LDK-së, Haki Rugova: Unë vendosi vet a do të jem apo jo pjesë e saj

    Reporteri
    18 Mars 2021 | 15:20

    Autor: Blendi Gashi


    Lidhja Demokratike e Kosovës, të dielën e 14 marsit, përveç Kryetarit të ri Lumir Abdixhiku, zgjodhi edhe Këshillin e Përgjithshëm, kurse deri në fund të kësaj jave pritet ta zgjedhë edhe Kryesinë e re të partisë.


    Është vet, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili e tha sot se gjatë vikendit mund të formojnë Kryesinë e re.

    “Besoj që gjatë vikendit do t’i zgjedhim organet tona, Kryesinë dhe pastaj do të vendosim qëndrimin tonë për formimin e institucioneve”, tha Abdixhiku.

    Por, i pari i LDK-së nuk përmendi asnjë emër se kush mund të jenë anëtarët e Kryesisë së re.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, ka biseduar me zyrtarë të kësaj partie për t’i pyetur rreth kësaj çështjeje.

    Nënkryetari në dorëheqje i LDK-së, Haki Rugova, njëherit kryetar i Istogut, fillimisht ka thënë se për Kryesinë e re vendos kryetari me propozim të partisë.

    “Nuk e di kush mund të jenë anëtarët e Kryesisë së re. Këshilli i Përgjithshëm merr vendimin me propozim të kryetarit Abdixhiku”, ka deklaruar Rugova për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    Me pas, i pyetur nëse ai do të jetë pjesë e Kryesisë së re, Rugova ka thënë se për këtë vendos vet.

    “Kjo është personale, këtu unë vendosi vet. Dua t’i shoh komplet propozimet”, i tha Rugova Gazetës Online ‘Reporteri.net’.

    Kurse Anton Quni, ka thënë se nuk kanë diskutuar ende për emrat.

    “Nuk i kemi hapur ende këto tema, nuk kemi diskutuar ende për përbërjen e Kryesisë. Jo, nuk kemi diskutuar ende asnjë emër”, ka deklaruar, të enjten për Reporteri.net, Anton Quni.

    Ndërsa ish-deputetja Besa Gaxherri, thotë se ende nuk ka ndonjë informatë se kur do të ftohet Këshilli i Përgjithshëm për ta zgjedhur Kryesinë e re të partisë, ndërsa shton se kryetarit Abdixhiku i nevojitet kohë për të përfshirë emra e personalitete politike, kredibile në Kryesi.

    E pyetur se a do të jetë pjesë e Kryesisë së re, Gaxherri thotë se nuk e di këtë gjë, por pret që kryetari i ri t’i vlerësojë njerëzit që kanë kontribuar me vite në parti.

    “Sa i përket pyetjes tuaj se a do jam unë anëtare e Kryesisë, përgjigjja është se nuk e di.

    Besoj shumë se LDK ka nevojë që t’i kthehet kredibiliteti, edhe shumë veprimtarë politik me këtë rast presin që t’iu respektohet puna, veprimtaria e cila duhet të shërbej si vlerë në LDK. Unë vërtetë jam qe 30 vite në LDK, kam fituar 6 mandate të deputetes, por kurrë nuk jam vlerësuar as anëtare e Kryesisë e as pjesëtare e qeverisë. Padyshim pres nga kryetari i ri i LDK që kjo qasje të ndryshoj me veprimtarët e LDK-së dhe ta kthejmë LDK-në, aty ku e ka vendin”, ka thënë Gaxherri për Reporteri.net.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka mësuar se zyrtarët e LDK-së që po i qëndrojnë afër Abdixhikut si Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti, Xhafer Tahiri, Besian Mustafa, pritet të jenë anëtarë të Kryesisë.

    Reporteri.net ka tentuar të marrë një përgjigje prej tyre, por asnjë prej tyre nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës.

    Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të dielën përveç që tha se Kryesia e re e LDK-së do të duket ndryshe, paralajmëroi edhe prurje të reja në parti.

    “Do të ndërtoj një ekip të ri me figura të reja brendapartiake, por gjithashtu do të kërkojë edhe hapjen e dyerve për individë që kanë bindje të njëjta ideologjike me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Do të shihni një Kryesi të re të LDK-së”, tha ai.

    Abdixhiku është kryetari i katërt i LDK-së. Në garën për të parin e partisë, ai e la pas Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën, që synonin të njëjtën pozitë.

    Nga ana tjetër, jashtë Këshillit të ri të Përgjithshëm të LDK-së, jashtë kanë mbetur disa emra të njohura të kësaj partie si: Fatmir Sejdiu, Skender Hyseni dhe Naser Rugova, etj.. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!