×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryesuesi i bordit të ZRRE-së arsyeton propozimin për shtrenjtimin e rrymës: Kemi arritur pikun e konsumit

    Reporteri
    25 Janar 2022 | 12:11

    Kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu është duke raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për ta arsyetuar propozimin e këtij institucioni për kthimin e bllok-tarifave.

    Fejzullahu ka thënë se Kosova në dy muajt e parë ka arritur pikun maksimal të konsumit. Ai ka treguar se energjia elektrike në dy muajt e fundit është importuar me 400 deri në 450 euro, në krahasim me vitet e kaluara ku çmimi sillej rreth 50 euro.

    “Importin e këtij viti nëse e krahasojmë me vitet e kaluara çmimi është sjellë me 50 euro, në dy muajt e fundit ka qenë 400-450 euro. Ka qenë e pamundur që kjo kosto të përballohet nga licencuesit tanë. Gjatë dhjetorit ka ndodhë edhe prishja në termocentralit Kosova B duke përkeqësuar edhe më shumë gjendjen.

    Ne gjatë dimrit kemi një sasi të madhe të importit. Ky është piku rekord që është arritë në Kosovë, kjo sasi e energjisë duhet të importohet dhe është importuar me çmim 7 ose 8 herë më të lartë se çmimi i importit në 4 vitet e kaluara. 600 kilovat orë në muaj, ky është maksimumi që ne mund të mund të ofrojmë”, ka thënë Fejzullahu.

    Ai është shprehur se çmimet e reja janë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve, por ka përmendur se në disa pjesë të vendit është arritur pragu maksimal edhe në aspektin e transmetimit të energjisë elektrike.

    “Këto çmime ndoshta janë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve por, ZRRE ka qenë fasilituese për krijimin e fondit për konsumatorët në nevojë.

    Ne i kemi nda kategoritë për të kuptuar ndikimin me tarifat e reja, por me ndryshimin e strukturës tarifore shihet edhe rritja e konsumit. Në këtë vit në disa zona kemi pasë arritje te pragu maksimal edhe në aspektin e transmetimit. Zona e Malishevës, Fushë Kosovës e Ferizajit, e kemi vështirë me përballu këtë rritje të kërkesës për shkak se kërkon dyfishim në distribucion. Ne kemi thënë që 70 përqindëshi nuk është e drejtë të mbulojë kostot e importit, është e padrejtë tu alokohet ajo kosto kësaj kategorie që janë më eficientë”, u shpreh Fejzullahu. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!