Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti e ka parë me dyshim iniciativën e fundit të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes.
Ahmeti, në RTV Dukagjini ka thënë se gjatë takimit që e ka pasur me kryetaren e Kuvendit, kjo e fundit e ka njoftuar se Kryesia e Kuvendit nuk është marrë vesh për masa kufizuese pasi jo të gjitha partitë janë pajtuar.
“Meqë Kuvendi nuk ka mundur të merr vendim, atëherë në vikend Ministri i Shëndetësisë ka marrë vendime individuale për komunën”, tha ai.
I pari i Prishtinës thotë se është e padrejtë që në këtë situatë të merren vendime që nuk kanë qartësi ligjore nëse janë vendime kushtetuese apo jo kushtetuese.
“Qytetarët nuk e kanë merituar këtë sepse në vend se të jemi të qartë, me sisteme të tilla nuk e di si mund të veprohet”.
Ahmeti thotë se qytetarët kanë pritur lajme të mira se kur mund të zbuten masat kufizuese.
“I ftojë qytetarët që të shikojnë ata numra që kanë publikuar qeveria, por më mirë është të qëndrojnë në shtëpi”.
Kryetari i Prishtinës thotë se është mjaft e vështirë që të dënohet me gjobë 3,000 euro ndonjë pronar që e hap dyqanin e tij të vogël për mbijetesë.
Ahmeti ka komentuar edhe masat e reja kufizuese që ka vendosur Ministria e Shëndetësisë në lidhje me parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
Thotë se për herë të parë në media po e sheh sistemin e ri të ndalim-qarkullimit në Kosovë.
“Nuk e kam pasur këtë informatë për këto kufizime të reja. Kam pasur informacion se po përgatitet një aplikacion por jo në këtë formë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
I pari i Prishtinës thotë se këto janë ngritje drastike e kufizimeve pasi po ndalohet edhe qarkullimi i makinave.
“Unë si kryetar i komunës do të shkoja me masa të thjeshta që janë të kuptueshme nga të gjithë e që nuk kanë shumë komplikime e paragrafë që duhet lexuar. Ne tash e dy ditë u morëm se cilat biznese kanë të drejtë të kalojnë në kufi e tash duhet të merremi gjithë javën me shpjegimin e këtyre rekomandimeve”.
Ahmeti thotë se gjëja më e thjeshtë që duhet t’u themi qytetarëve është që të qëndrojnë në shtëpi.
“Për momentin jam i brengosur për këtë orar të komplikuar të cilën duhet t’ua shpjegojmë qytetarëve”, tha ndër të tjera Shpend Ahmeti.