Kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq ka shpenzuar i vetëm më shumë se 68 mijë euro për udhëtime zyrtare, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në raportin vjetor të Zyrës së Auditorit të Kosovës për Komunën e Shtërpcës thuhet se në vitin 2023, shpenzimet për udhëtime zyrtare jashtë vendit ishin 68 mijë e 267 euro.
Në raport me vitin 2022 ka rritje prej 51 mijë e 257 eurove ose për 301 për qind.
Zyra e Auditorit ka gjetur se nga testimi i avanceve në vlerë prej 53 mijë e 568 eurove përfshiheshin 18 udhëtime zyrtare.
Në raportin e ZKA-së thuhej se për tri udhëtime zyrtare mungonte formulari i kërkesës për udhëtim zyrtar me informatat mbi udhëtimin dhe aprovimin prej zyrtarëve përkatës.
Për 18 udhëtime zyrtare mungonte formulari i llogaritjes së shpenzimeve të udhëtimit zyrtar. Në lidhje me këtë, ZK-ja për vlerën e shpenzuar prej 12 mijë e 195 eurove vetëm për ushqim, nuk ka arritur të vlerësojë se sa janë tejkaluar limitet për ushqim dhe shpenzimet e vogla.
Sipas raportit, për 18 udhëtime zyrtare, shpenzimet e akomodimit ishin në vlerë prej 18 mijë e 150 euro, ndërsa në bazë të tarifave të aprovuara të shpenzimeve të fjetjes ka pasur tejkalim në vlerë prej 11 mijë e shtatë eurove apo 60.6 për qind nga shpenzimet e lejuara.
ZKA-ja ka gjetur se në pesë raste për udhëtimet e realizuara, ftesa nga organizatori nuk ndërlidhet me qëllimin e vizitës së të ftuarit.
“Në një rast, udhëtimi ishte bërë në mungesë të ftesës zyrtare. Vlera e shpenzimeve për këtë udhëtim është 420 euro”, thuhej në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
ZKA-ja ka vlerësuar se kjo ka ndodhur për shkak të mos përgjegjësisë dhe mos korrektësisë së mbajtësit të kredit kartelës, mungesës së kontrolleve efektive të brendshme dhe neglizhencës së zyrtarëve përkatës për arsyetimin e duhur të dëshmive për mbylljen e avanceve.
Komuna e Shtërpcës nuk ka respektuar kërkesat ligjore në përdorimin e buxhetit për udhëtime zyrtare, ka tejkaluar limitet, ka shfrytëzuar fondet publike jo për qëllime zyrtare, të cilat kanë ndikuar në dëmtimin e fondeve publike dhe në uljen e besueshmërisë ndaj institucionit.
ZKA-ja e ka rekomanduar kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq se duhet të sigurojë që të gjitha kërkesat për udhëtime zyrtare të plotësohen dhe miratohen paraprakisht.
“Po ashtu, të gjitha shpenzimet duhet të llogariten dhe të dokumentohen në formularët e përcaktuar për të shmangur tejkalimet e shpenzimeve dhe për të garantuar transparencën dhe përputhshmërinë me rregulloren për udhëtime zyrtare”, thuhej në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Pa rregullsi për kartelën kreditore
ZKA-ja gjithashtu ka gjetur parregullsi në përdorimin e kartelës kreditore për udhëtime zyrtare.
Rregullorja për përdorimin e kartelës kreditore për udhëtime zyrtare, thekson se mbajtësi i kartelës kreditore lidh marrëveshje individuale me kontraktorin, ku pajtohen që kartelën kreditore ta përdorë sipas dispozitave të rregullores dhe nga një kopje të marrëveshjes individuale i dorëzon organizatës buxhetore ku punon.
Mbajtësi i kartelës ka limit të paracaktuar për kartelën kreditore.
Mirëpo ZKA-ja, gjatë auditimit nuk ka gjetur asnjë marrëveshje të lidhur për përdorimin e kartelës kreditore mes mbajtësit të kartelës dhe kontraktorit (Bankës). Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo marrëveshje është e nevojshme për të rregulluar përdorimin e kredit kartelës gjatë udhëtimeve zyrtare dhe për monitorimin e tyre.
Në raport thuhet se më 11 janar të vitit 2023 ishte bërë kërkesa për rritje të limitit të kartelës kreditore në 10 mijë euro për shkak të pjesëmarrjes në një udhëtim zyrtar, për të cilin limiti ishte 2 mijë e 500 euro. Sipas Komunës së Shtërpcës, këto para nuk do të ishin të mjaftueshme.
“Kërkesa për rritje të limitit është bërë për periudhën deri më 15 mars 2023. Ne kemi identifikuar se pas kësaj date nuk është bërë zvogëlimi i limitit në gjendjen fillestare”, thuhej në raportin e ZKA-së./Reporteri.net/.