×
  • Lajme
  • Lajme / Përplasja

    Kryetarja Caka iu përgjigj sulmeve të Qeverisë, reagon Ministri Murati, e quan të cekët shefen e Kushtetueses

    Reporteri
    12 Shkurt 2024 | 22:46
    Ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i është kundërpërgjigjur, kryetares së Gjykatës Kushteteuse, Gresa Caka-Nimani, e cila tha se pala humbëse gjithmonë ka kritika, koha do të dëshmojë profesionalizmin e gjykatës.

    Ai e quajti të cekët kryetaren e Kushtetueses, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka, gjatë një interviste sonte, duke folur për natyrën e lëndëve që kanë shqyrtuar ata si gjykatës, e përmendi edhe togfjalëshin “ekonomia e lirë e tregut”, më shumë se njëherë. Dua të besoj që fjalën e ka pasur për konceptin e “ekonomisë së tregut të lirë” apo “free market economy” në anglisht. Kur e mendon që ka edhe ekonomistë në LDK që e bëjnë gabimin e njëjtë, nuk mund ta gjykosh edhe aq rëndë një shkarje të tillë të zonjës Caka e cila me profesion është juriste. Për funksionin që ushtron, një cektësi e tillë e njohurive për këtë koncept ekonomik, pra “ekonominë e tregut të lirë”, rrezikon të prodhojë vendimmarrje të gabuar që ka pasoja të mëdha për qytetarët.”, ka shkruar Murati.

    Ministri Murati, në lidhje me rritjen e çmimeve, të përshkallëzuar pas luftës në Ukrainë, Fondi Monetar Ndërkombëtar në një analizë të bërë kishte ardhur në përfundim se mbi gjysma e inflacionit vinte si rezultat i lakmisë korporative dhe rritjes së marzhave të fitimit, e jo si presion i kostos së lëndëve të para.

    “Kjo konfirmohet edhe në rastin e Kosovës, ku shihet qartësisht rritje mbiproporcionale e profitit të realizuar të korporatave. Për të adresuar këtë anomali të shfaqur në treg, Qeveria dhe Kuvendi kishin miratuar Ligjin për Çmime Tavan, i cili në raste të tilla të çrregullimeve, mundësonte kufizimin e marzhës së fitimit.” është shprehur ai.

    Sipas tij, ligje e mekanizma të ngjashme kanë pothuajse të gjitha shtetet në Bashkimin Evropian (kujtoni vendosjen e çmimit tavan për gazin natyror pas luftës në Ukrainë), e madje edhe një ekonomi si SHBA-ja që është në skaj të spektrit të konceptit të ekonomisë së tregut të lirë ka legjislacion që rregullon një gjë të tillë (vendosja e tavanit për çmimin e insulinës nga Administrata Biden).

    “Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që me sa shihet nuk ka as njohuritë bazike mbi koncepte të tilla, kishte vendosur ta rrëzojë Ligjin për Çmime Tavan, në emër të mbrojtjes së ‘ekonomisë së lirë të tregut’. Pasojat e këtij vendimi, qytetarët e Republikës vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot.”, ka shkruar Murati.

    Ndryshe, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, sonte iu përgjigj akuzave se kjo gjykatë është dorë e zgjatur e opozitës së tanishme, iu ka përgjigjur kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani.

    Ajo ka thënë se të gjitha partitë opozitare ndër vite e kanë përdorur të drejtën kushtetuese për t’iu drejtuar në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar aktet e autoriteteve publike dhe jo vetëm aktet apo ligjet e dërguara në Kuvend.

    “Të gjitha partitë politike, kanë humbur apo fituar raste të rëndësishme në Gjykatë. Sigurisht, pala humbëse gjithmonë ka kritikuar gjykatën. Është në natyrën vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese dhe jo vetëm edhe në gjykatat e rregullta që gjithmonë ka një palë humbëse, prandaj në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese asnjëherë nuk është me rëndësi pritja e palëve para gjykatës apo perceptimi publik që mund të pasojë pas një vendimmarrje të Gjykatës”, ka thënë ajo./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!