×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryetari i SBASHK-ut porosi kryetarit të Kamenicës: Ndali aventurat

    Reporteri
    29 Tetor 2019 | 9:31

    Fati i mbylljes së shkollës së Busavatës në Kamenicë, ende ka mbetur i pazgjidhur.


    Kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati ka iniciuar reformën për mbylljen e kësaj shkolle, në mesin e 19 shkollave të tjera.

    Për këtë çështje Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), qëndron kundër kësaj reforme.

    Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj në një intervistë për EkonomiaOnline, mbetet me shpresën që Kastrati të jetë i fundit, ai që merr aventura të tilla siç e quan ai për mbyllje shkollash.

    “Uroj që Kastrati të jetë i fundit që merr aventura të tilla për mbyllje shkollash, pa u bërë një vendim në nivel vendi dhe pa u sqaruar të gjitha çështjet”, u shpreh ai.

    Sipas Jasharajt, nxënësve të shkollës së Busavatës, u është mohuar e drejta për marrjen e teksteve shkollore. E kjo, Jasharaj thotë se është bërë për shkak të mosbindjes ndaj reformës së Kastratit.

    “E keqja është që tekstet shkollore që i ka punuar shteti ynë me kontributin tonë nuk u janë dhënë nxënësve të kësaj shkolle. Kjo është bërë duke konsideruar si një shkollë jo legale sipas Kastratit. Ndoshta ai e konsideron për shkak se ata nuk e përfillin idenë e tij. Them edhe njëherë që kryetarët e komunave mos të bëjnë aventura të tilla sepse lehtë është t’i mbyllësh shkollat. Ne nuk mund të lejojmë një mësimdhënës që ka punuar 30 deri 40 vjet t’i thuhet thjesht t’u ka mbyllë vendi i punës e dil në rrugë”, theksoi Jasharaj.

    Jasharaj, më tej ia kujton Kastratit se në kohën kur kishte kandiduar për kryetar të Komunës së Kamenicës, kishte premtuar se do të jetë një kryetar i të gjithëve, andaj duhet të jetë edhe për banorët e Busavatës.

    “Kastrati kur ka kandidua për kryetar, ka thënë se është i të gjithëve, ai duhet të jetë edhe i fshatarëve të Busovatës nuk po them që ka ndërhyrje politike , por kryetari i Kamenicës duhet të dijë se është i të gjithëve.”, është shprehur kryetari i SBASHK-ut.

    Një problem tjetër sipas tij, është që nxënësit e kësaj shkolle e kanë problem të shkojnë deri në një shkollë në Kamenicë.

    “Dhe e keqja tjetër është se ishin në një terën malor ku ardhja deri në Kamenicë është e vështirë edhe për të rritur e lëre më për fëmijët. Uroj që shkolla e Busavatës mos të preket të mbetet ashtu si është, ngase është vështirë të udhëtohet 100 e sa nxënës çdo ditë nga aty në Kamenicë”, theksoi ai.

    Jasharaj, thotë se Kastrati fillimisht për të krijuar bindje në opinion, kishte deklaruar se do të mbyllte vetëm ato shkolla që janë me vetëm nga 1 nxënës, mirëpo që sipas tij, u dëshmua e kundërta.

    “Fillimisht Qëndron Kastrati për të krijuar një bindje në opinion thoshte se do të mbyllë shkollat që janë me 1 nxënës dhe kundër kësaj nuk do të mund të ishte askush sepse është e natyrshme që shkolla që ka vetëm një nxënës të mos mbahet e hapur, por ai nxënës të bartet ku ka më shumë shok, por doli diçka tjetër , doli se edhe shkolla e Krilevës dhe shkollat tjera nuk ishin me një nxënës por ishin me 50 e më shumë”, tha Jasharaj, duke shtuar se kjo çështje duhet të ngritët në nivel vendi pas formimit të institucioneve.

    Jasharaj beson që Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, do t’ia vë pikën kësaj pune.

    “Kemi përkrah idenë e MAShT që kjo shkollë të mos mbyllet, fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën që janë tepër të vegjël të mbesin në shkollat e fshatrave të tyre dhe nëse veç duhet të bëhet atëherë fëmijët nga klasa gjashtë deri në të nëntën të udhëtojnë deri në Kamenicë, duke u nisur nga fakti se vështirë është me kilometra të udhëtosh me autobus fëmija që është i klasës së parë”, përfundoi Jasharaj.

    Banorët e Busavatës dhe Krilevës së Kamenicës, ditë më parë protestuan para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) kundër reformës së iniciuar nga kryetari Qëndron Kastrati për mbylljen e katër shkollave në këtë komunë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!