Mësimdhënësit e nivelit parauniversitar në Prishtinë janë përballur këtë vit me nismën e Drejtorisë së Arsimit për nënshkrimin e kontratave të reja.
Kjo nismë është kundërshtuar nga SBASHK-u dhe këshillat drejtues të shkollave, të cilët kërkojnë sqarimin e bazës ligjore dhe harmonizimin e ndryshimeve në nivel vendi. Pas takimit me DKA-në, çështja është shtyrë deri më 31 janar.
Mësimdhënësit e nivelit parauniversitar në Prishtinë janë përballur këtë vit me nismën e Drejtorisë së Arsimit të kësaj komune për nënshkrimin e kontratave të reja.
Njëra nga kontratat që i është paraqitur një mësimdhënësi parasheh punë me orar të plotë prej 40 orësh në javë.
Por kjo nismë po kundërshtohet nga Sindikata e Bashkuar e Punëtorëve të Arsimit, e cila vlerëson se iniciativa të tilla duhet të ndërmerren në konsultim me mësimdhënësit dhe sindikatën.
Për këtë arsye, është arritur marrëveshje që kjo çështje të shtyhet deri më 31 janar të vitit të ardhshëm.
Sipas SBASHK-ut, këto ndryshime duhet të bëhen në nivel vendi, nga Ministria e Arsimit, dhe jo që Prishtina të ketë një lloj kontrate e komunat e tjera një tjetër.
“U takuam me Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë dhe arritëm marrëveshje që kjo çështje të shtyhet së paku deri më 31 janar, me qëllimin e vetëm që të ulemi përfaqësuesi i MASHT-it, përfaqësuesi i Këshillit të Drejtorive Arsimore bashkë dhe, nëse është e nevojshme, atëherë ta formojmë një tekst të përbashkët, i cili do të vlejë për gjithë Kosovën e jo Prishtina të ketë një lloj kontrate, Peja një lloj tjetër kontrate…”, ka thënë Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Punëtorëve të Arsimit.
Jasharaj u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të mos i nënshkruajnë këto kontrata.
Kundër kontratave të reja është shprehur edhe Këshilli Drejtues i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë.
Në këtë këshill kanë thënë se problematike është edhe çështja e ndryshimit të orarit të punës për mësimdhënësit.
“DKA synon të harmonizojë kontratat e personelit arsimor me ndryshimet ligjore që kanë ndodhur ndër vite, përfshirë çështjet që lidhen me pagën, koeficientin e pagave dhe orarin e punës prej 40 orësh në javë, si dhe largimin e dispozitave që punëdhënësi ka obligim të kujdeset për mësimdhënësit që mbesin pa normë të plotë të orëve! Megjithatë, sipas vlerësimit tonë, këto ndryshime nuk kërkojnë domosdoshmërisht lidhjen e kontratave të reja. Ligji për Pagat ka ndryshuar mënyrën e përllogaritjes së pagës dhe koeficientet, ndërsa ndryshimet lidhur me orarin e punës po ashtu mund të reflektohen përmes aneks-kontratave”, thuhet në reagimin e Këshillit Drejtues të SHFMU “Xhavit Ahmeti”.
Por drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, insiston se nuk do të ketë zgjatje të orarit të punës.
“Sa i përket çështjes së orarit që është komentuar në Komunën e Prishtinës, orarit prej tetë orësh, pra obligimit, unë nuk e di se ku e kanë dëgjuar këtë çështje dhe kush e ka transmetuar këtë çështje. Por ajo ku jemi të fokusuar si Drejtori Komunale e Arsimit janë kushtet më të mira për nxënësit, kushtet më të mira për mësimdhënësit, hapësirat më të mira, që nënkuptojnë një shkollë të mirë, një shkollë me kabinete, një shkollë me sallë edukativo-fizike, një shkollë me pajisje të laboratorëve dhe kabineteve, si dhe higjienë e, sigurisht, ngrohje në shkollat e Prishtinës”, ka thënë ai.
Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 10/2015 për kontratat e punës për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, neni 2 përcakton dy lloje të kontratave të punës: me kohë të pacaktuar dhe me kohë të caktuar./ Koha