“Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës! Gjithnjë, gjithmonë, përgjithmonë! Urime 28 nëntori – Dita e Flamurit!”.
Me këto fjali e përmbylli urimin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, teksa vendosën flamurin kombëtar në objektin e Këshillit në Preshevë.
Ngritjen e Flamurit, Mustafa e bëri në nder të sakrificës së shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Shkrimi i plotë i Mustafës:
Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!
Edhe sot si katër vite radhazi, nga pozita e kryetarit të këtij institucioni, vendosëm të valoj flamurin kombëtar në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Në nderë të sakrificës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Pavarësisht, përndjekjes së autoriteteve serbe e ndalimit me ligj.
Nuk është zgjidhje vendosja e flamurit kombëtar krahas atij serb për një ditë si kompromis në heshtje i mos zhvillimit të procedurave të kundërvajtjes. E as vendosja, vetëm flamurit kombëtar për një ditë të vetme.
Vetë ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare.
Këshillit Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën politike dhe juridike për legalizimin e simboleve kombëtare shqiptare. Simbolet tona. Pa ndryshime. Pa dallime.
Simbolet kombëtare nuk duhen ndryshuar!
Janë ligjet diskriminuese ato që duhen ndryshuar!
Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës!
Gjithnjë, gjithmonë, përgjithmonë!
Urime 28 nëntori – Dita e Flamurit!