×
  • Lajme
  • Lajme

    Kur dhe nga kush do të hiqen barrikadat në veri?

    Autor:Linda Ibrahimaj
    21 Dhjetor 2022 | 12:54

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Janë bërë plot 12 ditë që kur u vendosën barrikadat në pjesën veriore të Kosovës të shtunën e 10 dhjetorit, e që edhe sot ato po vazhdojnë të jenë aty, e gjithë kjo si shenjë proteste nga serbët për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak”, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ende janë të bllokuara dhe se deri tani janë vendosur nëntë barrikada nga grupet griminale në veri.

    “Që nga vendosja e nëntë (9) barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim”, u tha në një njoftim të policisë.

    Policia e Kosovës po vazhdon patrullimin në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

    Ani pse ndërkombëtarët po bëjnë thirrje vazhdimit që barrikadat të hiqen, serbët po vazhdojnë të mos i përfillin ata.

    Të martën e kaluar, i dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.

    “Ne presim që njerëzit që i kanë ngritur ato, t’i largojnë. Por, ne gjithashtu presim që atyre t’u ofrohet një rrugë përpara, për t’i adresuar disa çështje. Tani, ka aq shumë çështje, për të cilat duhet të jemi të vendosur. Disa çështje që lidhen me sundimin e ligjit, me urdhërarreste legjitime… ato duhet të gjykohen në gjykata dhe jo në rrugë. Megjithatë, në çështjet që kanë të bëjnë me procedura administrative, si targat e makinave, zëri i tyre [komunitetit serb] duhet të dëgjohet. Ne e kemi inkurajuar Qeverinë që të dëgjojë zërin e tyre në këtë çështje. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi t’i afrojmë të dyja palët dhe ta përqendrojmë vëmendjen e tyre në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Escobar në një intervistë të dhënë për REL.

    Por se barrikadat duhet të hiqen e tha edhe i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, por ai kërkoi që ato mos të hiqen me buldozer.

    “Për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo me buldozerë”, u shpreh Lajçak, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Se barrikadat duhet të hiqen shumë shpejt e thotë edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Ai ka kërkuar që ato të largohen para Krishtlindjeve, e kjo të bëhet nga ata që i kanë vendosur.

    “Qëndrimi ynë është i qartë. Ato janë të paligjshme dhe duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga ata që i kanë vendosur. KFOR-i është aty dhe ai ofron një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë. Kështu që jam optimist që do të realizohet shpresoj sa më parë që të mundet, sepse e fundit që na duhet është një përshkallëzim i mëtejmë i situatës. Qeveria e Kosovës e ka depërshkallëzuar situatën. Keni barrikada bllokuese dhe nuk mund të lëvizni aq. Ka njerëz në veri dhe do të nënvizoja që ata po vuajnë më së shumti dhe janë bërë një top goditjeje nga politika. Kështu që, tash sidomos, meqë po vijnë Krishtlindjet, këto barrikada duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur”, ka deklaruar Rohde.

    Por, për situatën në veri, Ambasadori britanik, Nicholas Abbott tha se duhet durim dhe se duhet të merret shtruar.

    “Zgjidhja e situatës së vështirë dhe të rrezikshme në veri kërkon durim dhe të merret shtruar. Është e rëndësishme që t’i jepet kohë dhe hapësirë ​​për të gjetur zgjidhje afatgjata për të mirën e të gjithë qytetarëve. Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe pa u shqetësuar për prioritetet politike”, deklaroi Abbott gjatë ditës së djeshme.

    Për heqjen e barrikadava, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 19 dhjetorit tha se KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë, por që nuk mund t’i tolerojnë edhe për shumë gjatë ato.

    “KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha Kurti.

    Se Kosova ka kapacitet për t’i hequr barrikadat në veri, e tha të shtunën Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Sveçla ka thënë se veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet.

    “Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”, tha Sveçla.

    Në anën tjetër, KFOR-i bëri thirrje që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes.

    Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia tha se zgjidhja e situatës duhet kërkuar përmes dialogut.

    “Ne presim që të gjithë akterët të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga demonstrimet e forcës, për të mundësuar lirinë e lëvizjes në Kosovë. Kfor do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ftojmë të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet kërkuar përmes dialogut”, tha komandanti i KFOR-it.

    Por shqetësusese dhe të tensionuar situatën në veri po e vlerëson edhe Misioni i EULEX-it. Këta të fundit thanë se janë të shqetësuar me grupet apo individët e armatosur e të maskuar në veri.

    EULEX thotë se barrikadat e vendosura në veri që nga 10 dhjetori duhet të hiqen menjëherë.

    “Gjatë patrullimeve tona në terren, jemi dëshmitarë të një pranie shqetësuese të të armatosurve, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara, në veri të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Jemi dëshmitarë të vendosjes së barrikadave shtesë, të cilat duhet të hiqen menjëherë. Ato janë të paligjshme dhe pengojnë lirinë e lëvizjes. Krahas këtyre shqetësimeve, edhe kriminaliteti në veri të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjes së policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. I takon agjencive të zbatimit të ligjit ta parandalojnë këtë”, thuhet nga EULEX.

    Java e dytë e barrikadave në veri është karakterizuar me shpërthime të njëpasnjëshme që sipas Policisë së kosovës dyshohet të kenë qenë me shok-bomba, ndërsa sot situata raportohet të jetë e qetë.

    Serbët për ditën e nesërme kanë paralajmëruar protestë, siç thonë thonë ata “për shkak të kërcënimeve të fundit të Albin Kurtit”, i cili, sipas tyre, bëri thirrje për zhdukjen e popullit serb dhe vrasjen e serbëve në barrikada./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!