Autor: Lira Klaiqi
Stacioni i Autobusëve në Ferizaj është ndëshkuar me një gjobë prej 500 euro nga Inspektorati i Punës për shkak të shkeljes së procedurave të punësimit.
Ky ndëshkim për Stacionin e Autobusëve vjen pas ankesës së Merita Krosa Sadikut e cila kishte aplikuar në pozitën Asistent/e e Zyrtarit të Lartë në këtë ndërmarrje publike komunale, ku ajo ishte ankuar se i ishte shkelur e drejta për punësim të barabartë në institucione publike.
Inspektorati i punës e ka vlerësuar ankesën e Merita Krosa-Sadikut si të bazuar.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka siguruar vendimin e lëshuar nga IP.
Në vendim thuhet se Ndërmarrja Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj është përgjegjës për cenimin e dispozitës së nenit 8 pika 1 dhe 2 e Ligjit të Punës e sanksionuar me me nenin 91 pika 1 e Ligjit të Punës për mospërfillje të procedurës ligjore gjatë pranimit të një punëmarrësi në sektorin publik.
Pas këtij vendimi ankuesja Krosa-Sadiku ka folur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’
Ajo thotë se konkursi ka qenë i kurdisur dhe kandidatët janë paracaktuar.
“Arsye kryesore që unë nuk jam pranuar në këtë konkurs është kurdisja e konkursit për kandidatë të cilët janë paracaktuar për pozitën në fjalë. Është e pabesueshme se si edhe për një punë të thjesht në sektorin publik, infiltrohen edhe zyrtarët me ndikimin më të madh në komunë ose përtej saj. Pra, aplikimi im ka qenë befasi në këtë konkurs, duke qenë se shkollimi im (master), sikurse edhe përgjigjet e mia në dy format e testimit, që kanë qenë pa gabime, e kanë bërë të vështirë manipulimin e tij. Në dy format e testimit, nga komisionerët vlerësues, në formë vullnetare dhe pa asnjë ndikim, më është thënë se kam qenë më e suksesshmja në përgjigjet e dhëna.”, ka treguar ajo.
Krosa-Sadiku ka ndarë me lexuesit e “Reporteri.net” tërë atë që ndodhi në ditën e testimit.
“Te testimi me shkrim, çuditërisht kandidate e parë me pikë renditet kandidatja që erdhi e fundit në vendin ku mbajtëm testin, duke qëndruar jo më shumë se 15 minuta brenda sallës, ndërkohë që testi kishte aq shumë pyetje saqë mua nuk më mjaftuan mbi 35 minuta kohë që t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve, duke i lënë dy prej tyre të zbrazura, përkundër se përgjigjet i kisha, por nuk më mjaftoi koha”, ka treguar ajo.
Ajo ka thënë se parregullsi ka vërejtur edhe gjatë testimit me gojë.
“E njëjta parregullsi ndodhi edhe në procesin e testimit me gojë, kur po e njëjta kandidate që doli e para me pikë, nuk qëndroi më shumë se 3 minuta në vendin ku u testuam të gjithë kandidatët, ndërkohë që unë u testova për rreth 15 minuta dhe anëtarët e komisionit e pohuan hapur se isha e suksesshme në të gjitha pyetjet që mu shtruan.”, është shprehur ajo.
Krosa-Sadiku ka edhe një thirrje për institucionet e Ferizajt. Ajo thotë se do ta kërkojë të drejtën e saj deri në fund.
“Unë kërkoj nga institucionet, duke u nisur nga Komuna e Ferizajt si dhe ndërmarrja “Stacioni i Autobusëve” Ferizaj, që me rastin e përsëritjes së konkursit të garantojnë kushte për trajtim të barabartë të të gjithë aplikantëve, përndryshe, në rast të manipulimeve si ky, që u dëshmua me vendim të Inspektoratit të Punës në Ferizaj, unë do ta kërkoj sërish të drejtën time në rrugë institucionale”, ka thënë ajo.