×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Bordi i ri i ARKEP-it më i miri ndonjëherë, do të jetësojë vizionin për zhvillimin e sektorit

    Reporteri
    28 Maj 2021 | 14:11

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i bindur se Bordi i ri i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), është më i kualifikuari që ky institucion ka pasur ndonjëherë, dhe ka besim të plotë që do të jetësojë vizionin për zhvillimin e sektorit.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kuri ka prezantuar edhe përbërjen e re të Bordit të ARKEP-it, shkruan Reporteri.net.

    Nazim Rahimi, Shkumbin Hamiti, Lule Ahmedi, Rrezarta Duraku Ajeti e Arijan Qorolli janë anëtarët e rinj të Bordit i cili u votua mbrëmë në Kuvendin e Kosovës.

    Mandati i këtij Bordi do jetë për pesë vjet.

    Postimi i plotë i Kurtit:

    Me një ekip profesionistësh e profesionistesh me përvojë në institucione, në industri dhe në akademi, jemi të bindur që ky është Bordi më i kualifikuar që institucioni i ARKEP-it ka pasur ndonjëherë, dhe kemi besim të plotë që ky Bord do të jetësojë vizionin për zhvillimin e sektorit.

    ARKEP është rregullator i komunikimeve elektronike dhe postare. Drejt vendosjes së tij në krye të detyrës kushtetuese dhe ligjore, tash kemi përbërjen e re të Bordit të ARKEP të votuar mbrëmë në Kuvendin e Republikës:

    Nazim Rahimi – Inxhinier i Postës dhe Telekomunikacionit me 19 vite përvojë në sektorin postar, në ministrinë e linjës dhe ARKEP;

    Shkumbin Hamiti – inxhinier i Telekomunikacionit e Informatikës me 17 vite përvojë pune në pozita udhëheqëse në Nokia. Hulumtues në akademi e industri me 12 patente për inovacionet e tij;

    Prof. Dr. Lule Ahmedi –Profesoreshë në Universitetin e Prishtinës me përvojë 25 vjeçare dhe dhjetëra publikime ndërkombëtare;

    znj. Rrezarta Duraku Ajeti – Inxhiniere e Telekomunikacionit dhe Master në Administrim Biznesi, me 12 vite përvojë pune në Telekomin e Kosovës;

    Arijan Qorolli – Ekonomist me 16 vite përvojë pune të analizë tregu në ARKEP.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!