Kurti dhe Rashiq vizitojnë dy familje serbe në Istog

Vizita e kryeministrit Kurti te familjet serbe në Istog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kanë vizituar të martën dy familje të komunitetit joshumicë, atë Miletiq dhe Komatoviq, nga fshati Drej përkatësisht Zhaç të Komunës së Istogut.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, miqësisht e në ambientet e shtëpive të tyre, Kurti dhe anëtarët e familjes Miletiq dhe asaj Komatoviq biseduan për përditshmërinë, angazhimet, bashkëjetesën me shqiptarët dhe nevojat e fshatit.

“Petko Miletiq bashkë me fëmijët e tij merren me bujqësi. Kryeministri dhe ministri Rashiq u njoftuan për punën që e bën kjo familje kryesisht në mbledhjen e kumbullave dhe përpunimin e tyre. Slavisha Komatoviq, përfitues i subvencioneve në Bujqësi, u shpreh falënderues për mbështetjen e shtuar të qeverisë ndaj kulturave bujqësore”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Vizita e kryeministrit Kurti te familjet serbe në Istog

Duke i falënderuar për bisedën dhe mirëpritjen, Kurti, sipas njoftimit, i tregoi për politikat sociale që po zbaton Qeveria dhe për planet e lansimit të masës tjetër të punësimit që mbështet bizneset që angazhojnë punëtorë nga komuniteti jo shumicë.