×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarohet kryeministri kosovar

    Kurti do takim bilateral me Vuçiqin në Bruksel vetëm kur të plotësohen kushtet e vëna nga ai

    Reporteri
    26 Qershor 2024 | 19:48

    Pas takimeve dypalëshe në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka kërkuar nga ndërmjetësit evropianë “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.

    “Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa mirëbesim dhe vullnet të mirë dhe këto vijnë përmes tri garancive të cilat i kam theksuar”, tha Kurti për gazetarët, duke iu referuar tri pikave që Borrell i cilësoi si kushte të vendosura nga Kurti.

    “Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes sjell sigurinë ligjore dhe juridike në njërën anë, dhe anulon shkeljet e mëhershme”, tha Kurti.

    Sipas tij, letra sikurse ajo që Bërnabiq i ka dërguar BE-së vitin e kaluar “janë sulme direkte mbi Marrëveshjen Bazë”.

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

    Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

    “E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

    “Ajo çfarë ne kemi bërë sot është se e kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazë. Ajo është nën sulm nga mosnënshkrimi, nga letra e bërnabiq dhe nga liria e Radoiçiqit, i cili përndryshe në Serbi vazhdon trajnimet për sulme të reja”, pretendoi Kurti.

    Sipas tij, nuk mund të ketë as normalizim, e as paqe në rajon pa dorëzimin e Radoiçit tek autoritetet e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!