×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Do të rritet numri i prokurorëve për hetimin e krimeve të luftës

    Reporteri
    29 Maj 2021 | 18:50

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se edhe 22 vjet pas luftës, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ka mbetur çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit të drejtësisë. Kurti përmendi edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale para dy vitesh, ku edhe u lejua gjykimi në mungesë për kriminelët e luftës.


    “Sot u mbushën dy vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. 22 vite pas luftës, e dy vjet pas këtij plotësim-ndryshimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë”, ka shkruar Kurti në një postim në “Facebook”.

    Më tutje kryeministri theksoi se janë duke punuar për rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës për të mundësuar gjykimin në mungesë për kriminalet e luftës.

    “Duke pasur prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Qeveria jonë ka bërë sërish ndryshimet e nevojshme për të lehtësuar punën e institucioneve të drejtësisë për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Jemi duke punuar edhe në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale. Ndërkaq, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, do të kemi më në fund dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tonë. Kosovës i nevojiten prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur. S’kemi kohë për të humbur”, ka shkruar më tutje ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!