Kryeministri Albin Kurti, ministrat, Arben Vitia, Donika Gërvalla e Armend Mehaj, janë pritur sot në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ku kanë diskutuar për koordinimin ndërinstitucional që ndërlidhet me politikën e jashtme, mbrojtjen, dhe sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave anti-covid.
“Presidentja Osmani diskutoi me kryeministrin Kurti nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes si dhe çështjes prioritare të sigurimit sa më të shpejtë të vaksinave kundër COVID-19. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u dakorduan se përpjekjet e përbashkëta, si dhe adresimi i koordinuar i këtyre temave, do të sjellë rezultate më konkrete”, thuhet në njoftim.
“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional mes institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës në realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare”, thekson njoftimi.
“Ata po ashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar përpjekjet për adresimin e nevojave të menjëhershme të qytetarëve që lidhen me pasojat shëndetësore dhe ekonomike nga pandemia COVID-19”, thuhet ndër të tjera./Reporteri.net/.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.